Historia po troket në derën e Argjentinës.

“Albiceleste” ndodhet vetëm një ndeshje larg një arritjeje legjendare, që futbolli botëror nuk e ka përjetuar prej më shumë se gjashtë dekadash. Nëse mposht Spanjën në finale, Argjentina do të shpallet kampione e botës për herë të dytë radhazi, duke u bërë kombëtarja e parë që realizon këtë mrekulli që nga Brazili i madh i Pelés në vitin 1962.

Kanë kaluar plot 64 vjet që kur një kombëtare arriti të mbrojë me sukses kurorën e kampiones së botës. Brazili i viteve të arta, me legjendën Pelé në fushë, dominoi futbollin botëror duke triumfuar në Botërorët e 1958 dhe 1962, përpara se të fitonte edhe një tjetër titull historik në vitin 1970.

Që prej asaj kohe, shumë gjigantë të futbollit janë përpjekur ta përsërisin këtë sukses, por të gjithë janë ndalur një hap larg lavdisë. Brazili, kampion i vitit 1994, ishte pranë mbrojtjes së titullit në Francë 1998, por u rrëzua në finale nga skuadra e Zinedine Zidane me rezultatin e thellë 3-0. Edhe pse “Seleçao” u rikthye fuqishëm duke fituar Botërorin e vitit 2002, nuk arriti ta ndërtonte një dinasti me dy trofe radhazi.

Edhe Franca ishte shumë pranë kësaj arritjeje historike, teksa erdhi brezi i Kylian Mbappé.

“Gjelat” fituan Kupën e Botës në vitin 2018 dhe ishin vetëm disa minuta larg mbrojtjes së titullit në Katar 2022, por Argjentina i mohoi historinë, duke triumfuar pas një finaleje spektakolare që përfundoi 3-3 dhe u vendos me penallti. Tani është radha e vetë Argjentinës të shkruajë historinë.

Një fitore në finalen ndaj Spanjës nuk do t’i siguronte vetëm një tjetër yll mbi fanellë, por do ta ngjiste “Albicelesten” në një nivel ku kanë mbërritur vetëm legjendat. Pas vitesh pritjeje, bota e futbollit mund të ketë sërish një kampione që mbron fronin e saj, duke vulosur një epokë të artë që do të mbahet mend për breza.