ARGJENTINE, 12 shkurt 2013– Në Argjentinë ka filluar racionimi i ushqimeve të shportës bazë. Në fillim të kësaj jave ministria e Ekonomisë e Argjentinës ngriu për 60 ditë çmimet e ushqimit dhe të elektroshtëpiakeve. Zyrtarisht thuhet se për këtë ishte rënë dakord me tregtarët me pakicë.

Ka disa vite që qeveria e vendit amerikano latin i zbukuron shifrat zyrtare të inflacionit. Ndërsa Zyra e Statistikave Indec thotë se për vitin 2012 inflacioni është 10,8 për qind , institucionet e pavarura arrijnë në përfundimin se ai është 25.6 për qind.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kohë që e kritikon këtë praktikë. Së fundi ai e qortoi më 1 shkurt të këtij viti në një letër zyrtare qeverinë e Argjentinës në lidhje me besueshmërinë e të dhënave të saj ekonomike.

Por dhe kontrolli i çmimeve nuk mund ta ndalë inflacionin në mënyrë të përhershme. Vetëm pesë ditë pas ngrirjes së çmimeve në supermarkete u boshatisën raftet. "Kjo është pasojë logjike e kontrollit të çmimeve: sipërmarrësit prodhojnë më pak dhe shitësit ofrojnë më pak, sepse ata nuk duan të shesin prodhimet e tyre nën vlerën e tyre." – thotë ekonomisti Federico Foders.

Kontroll të çmimeve në Argjentinë ka pasur shpesh herë edhe më parë, për shembull gjatë recesionit të thellë të viteve 2001/2002, i cili përfundoi në falimentimin e shtetit.