Federata e Futbollit të Argjentinës, së bashku me atë të Uruguajit dhe të Paraguajit, i prezantuan presidentit të Fifa-s Gianni Infantino kandidaturën e tyre të përbashkët për të organizuar Botërorin e vitit 2030. Pas një takimi me numrin 1 të Fifa-s Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri, ai i Uruguajit Tabare Vazquez dhe Presidenti i Paraguajit Horacio Cartes thanë në një konferencë shtypi të përbashkët se do të fillojnë të punojnë në një komision që do të paraqesë edhe formalisht prezantimin zyrtar në të ardhmen.
Argjentina do të vërë në dispozicion 8 stadiume, ndërsa Paraguaji dhe Uruguaji nga dy secili. Gjithashtu nuk duhet harruar se për Botërorin e 2030 kanë të drejtën e kandidimit edhe Federatat Europiane, ndërkohë që pritet të shprehë interes për organizimin e turneut edhe Kina që jo më kot vitet e fundit ka bërë investime marramendëse në futboll.
Ndërkohë kandidaturat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës duken të favorizuara për të mikpritur Kupën e Botës të vitit 2026.Për sa i përket botërorit të vitit 2030 kandidatura e përbashkët e Argjentinës, Urguajit dhe Paraguajit përmban edhe një simbolikë të vecantë, atë të Centenarios, thënë shqip 100 vjetorit, pasi në vitin e largët 1930 plot 100 vjet më parë, ishte viti i Botërorit të parë ku ishin pikërisht Argjentina dhe Uruguai që luajtën në finalen për Kupën e Botës në Montevideo, ndeshje që u fitua 4-2 nga Uruguaji.





