Mbetje të një nëndetëseje argjentinase që shpërtheu dhe u zhduk rreth një vit më parë janë lokalizuar më në fund në oqeanin Atlantik gjatë së premtes, duke i dhënë kështu fund edhe shpresave më të vakëta të të afërmve të ekuipazhit prej 44 vetësh.

“Kemi pasur një sinjal pozitiv identifikimi të ‘ARA San Juan’ në një thellësi prej 800 metrash”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale nga Marina argjentinase.

Marina humbi kontaktet me nëndetësen më 15 nëntor të vitit të kaluar, rreth 450 km nga brigjet argjentinase. Ajo po kthehej drejt bazës së saj, nga Ushuaia në pikën më jugore të Argjentinës.

“Kisha ende shpresa se mund të gjendeshin gjallë”, tha Luis Niz, babai i njërit prej marinarve të zhdukur, edhe pse qeveria e presidentit Mauricio Macri kishte deklaruar më herët se nuk kishte të mbijetuar nga “San Juan”-i.

Marina argjentinase është kritikuar ashpër për mënyrën e menaxhimit të operacioneve të saj, që nga momenti i parë i raportimit të vonesës së nëndetëses në Mar del Plata, më 16 nëntor të vitit të kaluar.