10 mars 2015 – Një aksidenti i rëndë ajror ka ndodhur në veriperëndim të Argjentinës, ku dy helikopterë janë përplasur me njëri-tjetrin dhe për pasojë përplasja ka rezultuar fatale, duke i marrë jetën 10 personave. 

Mediat e huaja kanë raportuar se 8 prej viktimave ishin sportistë të njohur francezë, mes të cilëve Florence Arthaud, kampione në garat me vela, notarja fituese e medaljes së artë në Olimpiadën e 2012, Camille Muffat, si dhe boksieri 28-vjeçar, Alexis Vastine.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë xhirimeve të një “reality show” francez, ku pjesëmarrës ishin kryesisht sportistë, një prej tyre ishte edhe ish-lojtari i kombëtares së futbollit të Francës, Sylvain Wiltord, i cili fatmirësisht nuk ishte në bordin e dy helikopterëve.

Menjëherë pasi është informuar për ngjarjen, ai ka shkruar në rrjetin social “Twitter” se ishte i tmerruar, dhe nuk mund të gjente dot fjalë për ta përshkruar këtë ngjarje.

Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ajrorë janë ende të paqarta, ndërsa zyrtarët kanë thënë se kushtet e motit në zonën malore ku ndodhi ngjarja ishin të mira. 

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/