Ari ka arritur nivel rekord prej 4.525, 96 dollarësh për ons, duke shënuar rritje rreth 1 për qind mes shqetësimeve për përshkallëzimin e tensioneve mes SHBA-së dhe Venezuelës si dhe pritjeve për ulje të mëtejshme të normave të interesit në SHBA.
Pas arritjes në nivelin më të lartë historik, çmimi i arit mëngjesin e sotëm ishte rreth 4.495,9 dollarë për ons, duke shënuar rritje vjetore prej rreth 72 për qind.
Çmimet e argjendit gjithashtu u rritën me më shumë se 1 për qind, duke arritur në 72,7 dollarë, përkatësisht në nivelin historik të lartë. Norma e rritjes ka qenë rreth 144 për qind gjatë 12 muajve të fundit.
Kërkesa për aktive të sigurta u rrit për shkak të shqetësimeve mbi ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike globale, si dhe bastet për ulje shtesë të normave të interesit në SHBA në vitin 2026, veçanërisht pas rritjes ekonomike më të fortë se sa që pritej në SHBA gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Tensionet mes Washingtonit dhe Karakasit janë rritur pasi SHBA-ja ka shtuar mbikëqyrjen dhe masat e zbatimit ndaj dërgesave të naftës të lidhura me Venezuelën, duke ngritur shqetësime të reja për ndërprerje të mundshme të flukseve globale të naftës bruto dhe duke shtuar paparashikueshmërinë gjeopolitike në botë.
Presidenti amerikan, Donald Trump pretendon se vendi përdor të ardhurat nga nafta për të financuar emigracionin e paligjshëm dhe dërgesat e drogës drejt SHBA-së. Një arsye tjetër e rëndësishme për këtë rritje është blerja e arit nga bankat qendrore për të forcuar rezervat e tyre.





