11 maj 2015 – Emisioni “Zonë e Lirë” i Arian Çanit ka prodhuar sërish polemika në rrjetet sociale. Gazetari është vënë në qendër të vëmendjes nga mediat online për shkak të një episodi të ndodhur në studion e tij të premten e 8 majit. Batutat – siç i quan Çani, që shkëmbeu gjatë një bashkëbisedimi me të ftuarin, këngëtarin Arjan Korkaj, janë nxjerrë jashtë kontekstit.

 

E gjitha u provokua nga videoklipi “Një djalë lab dhe një djalë çam” që Arjan Korkaj kishte vajtur të promovonte në emision. Sipas këngëtarit, ai ishte nxitur nga miqtë e tij Çamë të bënte një këngë me tematikë Çame, për të cilën edhe do të paguhej. Por, siç tregoi këngëtari vetë në emision, ata e kishin braktisur dhe nuk e kishin paguar. Në kontekstin e batutave dhe thënieve të vjetra popullore se “çamëve nuk u zihet besë” duket se u zhvillua i gjithë diskutimi. Megjithatë, shprehja e thënë nga Arian Çani, “çamët janë aq të mirë, sa t’i vrasësh pak e kanë”, shkaktoi jo pak zhurmë.

 

“Siç ndodh rëndom në këtë katund, mjafton një batutë me humor brenda një konteksti të caktuar që disa media të përfitojnë për të pasur ca klikime më shumë. Kjo kategori janë fansat e mi të pasherueshëm që s'më janë ndarë asnjëherë. Sa më shumë i shaj unë, aq më shumë më duan ata. Janë mazokistë ndonëse ata nuk e dinë sëmundjen e tyre.

Po nejse. Batuta e çameve që ka ngjallur sërish këtë polemikë ishte thjeshtë një batutë brenda një konteksti plot humor. Për të gjithë ata që kanë fare pak mënd në kokë, le ta shohin ose rishohin emisionin tim të dates 8 maj 2015 në youtube. Ciaooo”.

 

 

(Lapsi.al)