Tiranë, 7 korrik 2014 – Kryeministri Edi Rama dhe autori i emisionit “Zonë e Lirë”, Arian Çani nuk janë më miq. Këtë e ka pohuar moderatori Çani në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit Europian të Tiranës ku ka shpjeguar historinë e prishjes së miqësisë me kryeministrin Edi Rama. Çani e konsideroi marrëdhënien e tij me kryeministrin si një ‘histori dashurie” dhe se Rama e tradhtoi “për të shkuar me të tjerë”.
“Jemi ndarë me këtë tipin që është sot kryeministër. Thjesht se kemi qenë shumë pranë në momente të caktuara, unë në punën time dhe ai në punën e tij, pra kemi bashkëpuuar. Kemi bashkëpunuar ai kishte vendosur të mos vinte më tek dyqani im por shkonte tek dyqani përballë. Dhe unë i thashë, ej pse nuk vjen te dyqani im pse e braktise se unë të kam shitur gjithmonë lirë. Ai nuk tha asgjë, dhe kështu është kjo histori si një dashuri që mbaron dhe kjo histori mbaron".
Dikush nga salla ia pret: “Ai ju la”.
Çani shton: “Jo, ai më la sepse duhet të shkonte me të tjerë”.
Çani dhe relatat e tij me Edi Ramën kanë qenë të vjetra. Kujtojmë që Çani para disa vitesh braktisi ekranin e Klan Tv sepse në një moment të fundit drejtuesit i refuzuan Ramën në emision. Këtë Çani e konsideroi fyerje dhe braktisi televizionin duke gjetur strehë në një tv tjetër. Tashmë ai prej shumë kohës është rikthyer sërish në gjirin e tv që e braktisi dikur dhe nuk besohet se do divorcohet nga ky ekran pasi një divorc e ka tashmë me kryeministrin Rama.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





