Tiranë, 24 maj 2014 – Seksi dhe impakti që ka ai në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo është tematika e filmit artistik “Tirana ‘14", një komedi që pasqyron realitetin e sotëm të shoqërisë sonë me një stil virtual mbushur me situata komike, batuta pikante, por edhe skena të nxehta. Pikërisht lidhur me këto skena, trailer i filmit që ka filluar të qarkullojë në Youtube ka ngjallur reagime të shumta duke e etiketuar madje edhe një film erotik. 

Por regjisori i filmit, Edmond Mandro thotë se ky film nuk është aspak një komedi erotike pavarësisht këtyre skenave. Sipas tij këto skena e ndihmojnë filmin për të qenë sa më i vërtetë, larg klisheve të gjuhës filmike të cilën kemi trashëguar dhe peng i së cilës jemi edhe sot. Ai shton se nuk ka qenë aspak e lehtë për t’i xhiruar këto skena edhe pse mënyrat ishin shumë komode. “Është diskutuar gjatë me ta për të gjetur formën më pak të sikletshme”, shprehet ai. “Megjithatë frika më e madhe e aktorëve janë paragjykimet që mund të shfaqen tek të njohurit e tyre kur të shohin filmin duke qenë se ata do të shohin atë që u serviret në fund”. Më i lirshmi sipas tij ishte prezantuesi i njohur Arian Çani, i cili ka një puthje alla franceze në film me një modele. Në këtë komedi, e cila pritet të dalë më 5 qershor në kinematë e kryeqytetit luajnë aktorë të njohur të humorit dhe jo vetëm. Genc Fuga dhe Gent Hazizi, Eni Jani, Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Laura Nezha, Ola Harizaj, Ina Gjonçi, Azra Sallahi, Ledio Lako, Marin Orhanasi, Eglein Laknori, janë disa nga emrat më të spikatur. Por ky film ka edhe një të veçantë tjetër e cila pritet që ta bëjë shumë të suksesshëm.

Ai është bazuar mbi një formulë të veçantë ku personazhet e trilluar ndërthuren me personazhe VIP të cilët futen në marrëdhënie me personazhet e fabulës me emrat dhe profesionet e tyre reale. Mes tyre mund të përmendim përkthyesin e njohur Edmond Tupja, psikologen Jorida Rustemi, këngëtarët Endri dhe Stefi, Frederik Ndoci, Sheila Haxhiraj si dhe disa modelë e prezantues të njohur të ekraneve shqiptare si: Marina Vjollca, Aurela Hoxha, Arjon Muça, Franceska Jaçe, etj.