Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 3 dhjetor 2014  –  Profil qytetar: Arian Dedej: një ndërlidhje mes karrierës akademike, politikës dhe aktivizmit.

Kush është Arian Dedej?

Unë rrjedh nga një familje e thjeshtë durrsake. Jam rritur në qytetin e Durrësit në periudhën e fundkomunzimit dhe fillimet e demokracisë, ku mbarova shkollën 8-vjecare “Hajdar Dushi” dhe arsimin parauniversitar  në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”. Jam marrë me sportin e notit dhe kam qenë anëtar i skuadrës së Teutës  që nga viti 1997-2001 me  trajner Agron Ismailatin!

Kam mbaruar studimet universitare (bachelor) në Perugia-Itali në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare” Fakulteti i Shkencave Politike, në vitin 2005. Më pas, në vitin 2008 përfundova studimet në Master Shkencor, po në Univeristetin e Perugia-s  në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Gjatë viteve të studimit pranë Univeristetit të Perugia-s kam punuar në Bibliotekën e Studimeve Historike dhe Politike, si dhe pranë Agjencisë për Përcaktimin e Bursave të Studimit. Në Vitin 2009 kam mbaruar Masterin e Nivelit të dytë në “Peacekeeping and Security Studies” në Univeristetin Roma Tre, Fakulteti i Shkencave Politike!. Në bashkëpunim me këtë universitet, kam mbaruar një kurs kualifikimi në fund të të cilit jam kualifikuar si këshilltar i së drejtës humanitare sipas Konventës së Gjenevës. Në janar të vitit 2010 fitova një konkurs në Universitetin e Perugias si bashkëpunëtor i përkohshëm në mbështetje didaktike dhe tutorazhi në departamentin e Shkencave Politiko-Historike. Në prill të vitit 2010 vendosa të kthehem në Shqipëri dhe në tetor të të njëjtit vit, fillova punë si lektor i shkencave politike pranë Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës. Përveç punës si lektor pranë këtij universiteti, kam kryer dhe pozicionin e Sekretarit të Këshillit të Administrimit! Gjatë gjithë kësaj periudhe, përpos angazhimeve akademike, botimeve në revista shkencore dhe finalizimit të gradës doktor jam aktivizuar vazhdimisht në Forumin Rinor të Partisë Demokratike derisa në vitin 2013 më përzgjodhën dhe kryetar të këtij Forumi.

Pra jeni kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe njëherazi keni qenë dhe kandidat për deputet i Qarkut Durrës në zgjedhjet vendore 2013. Mund të përkufizoheni si një përfaqësues i ri në politikë dhe goxha i angazhuar madje. Përse Ariani ka vendosur t’i përkushtohet kaq fort politikës?

–  Në radhë të parë kam vendosur t’i përkushtohem politikës sepse është fusha në të cilën kam studiuar. E dyta sepse besoj në këtë aktivitet social për të përmirësuar jetën e qytetarëve të cilët jetojnë në një komunitet. Kam vendosur të përkushtohem kaq fort sepse besoj tek ideja: 

“NJERËZIT NDODHEN PËRPARA DY ZGJEDHJEVE TË RËNDËSISHME NË JETË, E PARA TË PRANOJNË GJENDJEN DHE SITUATËN NË TË CILËN JETOJNË DHE E DYTA TË MARRIN PËRGJEGJËSITË PËR TË NDRYSHUAR KËTË GJENDJE DHE KËTË SITUATË". 

Kam vendosur të angazhohem kaq fort në politikë, sepse e dua qytetin tim dhe ndiej detyrimin qytetar e moral që të bëj maksimumin për zhvillimin e tij!

Sipas jush, cila është sfida më e madhe e së djathtës që sot ndodhet në opozitë?

– Sfida më e madhe e të djathtës sot është të rilidhet me të gjithë grupet e interesit dhe të shoqërisë që kanë qenë historikisht mbështetësit e saj kryesorë si: të përndjekurit politikë, intelektualët dhe studentët. Në fushën ekonomike, e djathta duhet të mbështesë më shumë idenë e prodhimit “made in albania” e sipërmarrjeve të vogla e të mesme duke ofruar modele të sukseshme si shembull, si dhe uljen e taksave në mënyrë që të jenë puntorët, ata të cilët do të përfitojnë nga kjo nismë. Vetëm duke i dhënë më shumë hapësirë këtyre sipërmarrjeve, nëpërmjet zvogëlimit të burokracive të cilat vështirësojnë mbijetesën e tyre, i bën ato më konkuruese dhe respektuese ndaj punëtorëve, ekonomia mund të rivihet në lëvizje duke mbrojtur individin dhe komunitetin.

Rotacioni në politikë është një fakt dhe fat i pashmangshëm. Përtëritja ka anët e saj pozitive, që s’duhet të reduktohen thjesht në  statistika, pasi sfida e vërtetë për çdo qeveri të re mbetet gjithnjë, kombinimi i risive me vazhdimësinë. Si e gjykoni ju, rrugëtimin e mazhorancës shqiptare në këtë 1 vit e gjysmë qeverisje?

– Rotacioni në politikë është një fenomen i zakonshëm natyror, madje përjashtimi duhet gjetur atje ku ky fenomen nuk ndodh, pra tek fenomenet e jashtëzakonshme natyrore!  Për sa i përket qeverisë së re mendoj që ata duhet të shohin përpara dhe nuk duhet të justifikohen për veprimet e tyre! Ata nuk duhet të justifikojnë mos-suksesin e tyre duke u drejtuar nga paraardhësit! Kjo ngjan më së shumti me një histori  që na tregonte shpesh një profesor në kursin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, kur vinte radha e luftës së ftohtë dhe njërit nga aktorët më të rëndësishëm të kësaj periudhe. Ai thoshte se Hrushovi, pasi u largua nga drejtimi i Bashkimit Sovjetik la tri letra në tavolinë për pasardhësin e tij (Brezhnev) dhe e këshilloi atë që në secilën krizë politike dhe ekonomike, ai duhej të ulej e të lexonte njërën nga letrat! Pasi përballet me krizën e parë, Brezhnev vendos të hapë letrën e parë dhe lexon: të gjithë fajin ma hidh mua, pra paraardhësit të tij. Pasi përballet me krizën e dytë vendos te hape letrën nr. 2 dhe përsëri lexon: të gjithë fajin ma hidh mua. Kur përballet me krizën e tretë vendos të hapë edhe letrën e tretë dhe lexon: tani ulu dhe shkruaj tri letra për pasardhësin tënd!

Në vendin tonë, politika po shëmbëllen gjithnjë e më tepër si universi i të fortëve, ku metamorfozat e mentalitetit, vlerave  dhe vizionit shihen si blasfemi. Ç’iniciativa duhet të ndërmarrë klasa politike shqiptare në tërësi që të përmbyset ky lloj stereotipi?

– Të vlerësosh individët më negativë në shoqëri ka qenë dhe vazhdon të jetë një problem shumë i madh i shoqërisë shqiptare, i cili sot duhet kapërcyer me patjetër për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Dikur, në disa zona të Shqipërisë përdorej si zakon që në një ceremoni martesore dhëndri duhet të kalonte një provë e cila kishte të bënte me vjedhjen e dashit më të mirë të kopesë, e paracaktuar nga familja e nuses. Nëse dhëndri nuk e bënte, kjo nënkuptonte se ai nuk ishte i zoti “për të nxjerrë qimen nga qulli” dhe nuk ia jepnin më nusen. Në këto zona, barinjtë ia vidhnin njëri-tjetrit bagëtinë dhe nëse dhëndrit i vidhej bagëtia dhe ai nuk vidhte dot, atëhere tregonte se nuk qe i zoti për familje. Ashtu si në të kaluarën, edhe sot duhet të jesh i zoti “të nxjerrësh qimen nga qulli”. Pavarësisht se cila është mënyra për të nxjerrë qimen nga qulli, më e rëndësishmja e këtij veprimi është se si “të nxjerrësh me patjetër qimen”. Parlamenti është një vend, i cili sipas disa studiuesve të shekujve më parë, krahas funksioneve të tjera ka dhe funksionin edukues, pra të edukojë komunitetin e të japë shembullin e mirë për të, si i perzgjedhuri i komunitetit për të përfaqësuar zërin e tij. 

Edhe Parlamenti shqiptar ka në tërësi të funksioneve të tij funksionin edukues. Por a janë të ndërgjegjshëm përfaqësuesit tanë për funksionin e rëndësishëm që karakterizon një aspekt të punës së tyre? I shoh këta njerez si puna e atij dhëndrit, i cili pritet të kalojë atë sprovën e veshtirë përpara syve të vjehrrit në mënyrë të atillë që ai t’i japë në besim vajzën. Dhëndurët deputetë e politikanë, kanë kaluar me sukses një sprovë tjetër, mesa duket atë të të fortëve. Të jesh i fortë do të thotë të arrish gjithçka pavarësisht mjeteve që përdor, ashtu siç Makiaveli predikonte, por e kanë kuptuar Makiavelin sipas mënyrës së tyre, sipas mënyrës së të fortëve. Dhëndurët “deputetë” duhet të kalojnë provën e të fortit, pra të jenë të fortë për të fituar mandatin, me para, miq apo dhunë dhe të mbajnë me metoda të fortësh pozicionin e tyre, metoda të tipit : “ça ke që shef, pse përmend emrin tim, e di ti se kush jam unë” etj…

Problemi nuk qëndron tek ta, por tek ne, tek shoqëria shqiptare dhe sistemi ynë i vlerave, që vazhdojmë akoma të promovojmë individë të tillë, të cilët do të duhej të na jepnin shembullin e mirë, por që këtë shembull nuk po na e japin dot, nuk duan ose nuk dinë. Problemi qëndron tek ne, sepse mundohemi t’i justifikojmë këta njerëz së bashku me veprimet e tyre duke thënë: Ai është i shkathët, ai është bir….. dhe fjalë të tjera që nuk është e udhës t’i përmendim tani. Problemi është yni, kur mundohemi të justifikojmë individë të inkriminuar duke u shprehur se ai e ka shlyer detyrimin e tij me drejtësinë, pavarësisht se akuzohet për vrasje, prostitucion, rrahje, mashtrim, ndërtime pa leje, korrupsion apo edhe të tjera si këto.

Ne kemi nevojë për shembuj pozitivë, shembuj të mbushur me vlera dhe mirësi! Kemi nevojë të promovojmë individin e mbushur me aftësi dhe të ndershëm. Kemi nevojë të ndërtojmë një kulturë politikë të shëndetshme!