Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 10 tetor 2014 – Profil qytetar: Koreografi Arian Plaku
– Ç’marrëdhënie keni me vallëzimin?
Çdo njeri duhet ta dojë thellësisht atë që bën. Vallëzimi është emancipim, qytetërim, i shërben shoqërisë për të kultivuar shijet, për t’u afirmuar më tej. Ndihem krenar që kontribuoj në këtë fushë dhe përpiqem të jap maksimumin. Kam mbi 15 vjet që vallëzoj, që u mësoj fëmijëve dhe jo vetëm, ABC- në e kërcimit.
– Sa i përmbushur ndiheni nga karriera juaj?
Ende jam në konsolidim e sipër të karrierës sime, ende po afirmohem, nuk vetëkënaqem, sepse ky do të ishte fundi për mua. Jam gjithnjë në kërkim të risive dhe të përsosjes.Në profesionin tim, talenti duhet të shkrihet me aftësinë, durimin, disiplinën e hekurt, përkushtimin, vullnetin. Kërcimi duhet konsideruar një akt sublim dhe ai që s’iu përmbahet rregullave të mësipërme dështon. Rrugëtimi im s’ka qenë aspak i lehtë, por këmbëngulja më ka ndihmuar më shumë se gjithçka tjetër.
– Ç’ju është dashur të sakrifikoni për baletin?
Në fakt jeta e një artisti është sakrificë e vazhdueshme. Më duket sikur kam lindur duke vallëzuar; momentet më të bukura dhe më të vështira të jetës sime kanë lidhje me kërcimin, pasionin tim të jashtëzakonshëm. Thënë më qartë: për shkak të provave, shfaqjeve, debutimeve në skenat shqiptare dhe të huaja jam privuar nga ekskursionet dhe festat e shumta që organizohen nga nxënësit e shkollave. Ky është një debit i madh i fëmijërisë dhe adoleshencës sime, por unë nuk pendohem. Mendoj se kam bërë gjënë e duhur, edhe pse ndonjëherë, më vjen pak keq.
– A ju ka mbështetur publiku durrsak?
Publiku durrsak është më i miri në botë. Dua të bëj maksimumin për ta kënaqur. Shpeshherë me pëlqen të bashkoj në një shfaqje kërcimin, lëvizjen, tingullin e zërit dhe emocionet që rrjedhin nga këto për të magnetizuar publikun në sallë, i cili më mbështet gjithnjë. Atij i detyrohem shumë dhe s’dua ta zhgënjej kurrsesi.
– A vlerësohet arti mjaftueshëm sipas jush?
Arti nuk merret seriozisht në vendin tonë. Ai po bën një rrugëtim kaotik, ndaj dhe krijuesit nuk vlerësohen siç duhet. Mezi paguhen për krijimtarinë. Arti funksionon, sepse artistët janë idealistë të apasionuar pas profesionit të tyre, e duan të bukurën dhe çmojnë publikun artdashës.
– Së fundmi një këshillë: për se një i ri / e re duhet të merret me art dhe konkretisht me balet?
Arti në përgjithësi influencon në edukimin dhe formimin e individit, influencon prirjet, shijet e tij, shpirtin dhe mendjen njerëzore, baleti është një disiplinë që harmonizon zhvillimin psiko-social. Sipas meje, ai është mbreti i arteve; gjuha e trupit flet më shumë se fjala. Ndaj, përkushtojuni atij, me gjithë shpirt !





