"Në pikturat e artistit shqiptar shfytyrimi dhe abstraksioni janë përdorur si mjete për të zbuluar kontradiktat e shoqërisë",- thotë kritika amerikane. Duke punuar me akrilik mbi kanavacë, artisti kufizon palitrën e tij në pak ngjyra në çdo imazh, duke rezultuar në një thjeshtësi të zymtë, grafike që shpreh fuqishëm konfliktet e brendshme të subjektit. Këto konflikte përsërisin përvojat që artisti vetë ka kaluar. I rritur në Shqipëri, ai thotë se luftërat që Ballkani ka pësuar janë pasqyruar në imazhet e tij. “Veprat e mia janë një gjeografi e psikologjive shqiptare dhe ballkanike”, thotë ai dhe duke mishëruar këtë gjeografi, ai krijon një përvojë bindëse për shikuesit

Agora Gallery në Chelsea të Nju Jorkut në SHBA, do të paraqesë veprën origjinale të artistit durrsak Ardian Tragaj në një ekspozitë solo. Ekspozita hapet më 20 shtator 2016 dhe do të vazhdojë deri më 11 tetor të vitit 2016, me një pritje të hapjes më 22 shtator, në orën 18:00-20:00, njoftojnë mediat e specializuara amerikane.

Në pikturat e Ardian Tragajt shfytyrimi dhe abstraksioni janë përdorur si mjete për të zbuluar kontradiktat e shoqërisë, thotë kritika e Botës së Re. Tragaj sjell një vështrim të mprehtë mbi politikën dhe psikologjinë në veprën e tij. Me tiparet e ekzagjeruara dhe sytë zhbirues të tyre, subjektet janë shprehje të absurditetit pothuajse komik, por ka edhe një rrymë nënujore dhimbjeje dhe malli në fytyrat e tyre, duke u bërë apel të drejtpërdrejtë mendimeve dhe emocioneve të shikuesve.

“Portretet e mia në pamje të parë duken si koka të deformuara”, thotë Ardian Tragaj, mbi veprat e tij, por në thellësi të tyre simbolizojnë kohëra dhe sisteme të caktuara politike”. Duke përdorur linja të thjeshta dhe forma bazë, tablotë e Tragajt kanë qartësinë e karikaturave, por nëpërmjet përdorimit ekspresiv të ngjyrës, linjës dhe kompozimit, ato bëhen komplekse, vepra me shumë shtresa. Me tiparet e tyre të shtrembëruara dhe shprehje sysh të hapura ndjeshëm të dhimbjes dhe befasisë, subjektet e tij kombinojnë absurditetin komik me errësirën nën të.

Agora Gallery ku dhe do të zhvillohet ekspozita e piktorit durrsak, është një galeri bashkëkohore e arteve të bukura në zemër të distriktit të arteve të bukura të Çelsi-it Chelsea në Nju Jork. E themeluar në vitin 1984, Agora Gallery është e specializuar në lidhjen e dilerëve dhe koleksionistët të artit me artistë amerikanë dhe ndërkombëtarë. Konsulentët ekspertë të galerisë së arteve janë në dispozicion për të ndihmuar klientët koorporativë dhe privatë në prokurimin e veprave artistike origjinale për plotësimin e nevojave specifike dhe kërkesave buxhetore të organizatës së tyre. Gjatë viteve Agora Gallery ka sponsorizuar dhe ka bërë katering për ngjarje speciale që kanë për qëllim nxitjen e vetëdijes shoqërore dhe promovimin e përdorimit të artit për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Th.M.