Mesfushori i skuadrës së Teutës, Ergis Arifi, zbërthen gjithë sezonin e fundit të Teutës. 18-vjeçari e konsideron edicion të mirë, duke iu referuar ecurisë së pjesës së dytë të kampionatit, ku u sigurua edhe qëndrimi pa shtesa në Kategorinë Superiore. Arifi flet me bindje se Teuta do të bëjë një paraqitje shumë herë më të mirë në sezonin 2025-2026, në mënyrë që “Djemtë e detit” të kthehen te pretendimet për trofe.

Arifi, si e konsideroni sezonin e fundit të Teutës?

Skuadra zhvilloi një gjysmë sezoni shumë të mirë dhe kjo na jep besim për të ardhmen e Teutës në Kategorinë Superiore. Për mua, ndikoi pak dhe pjesa e dy fazave të para, ku skuadra la disa pikë, që nuk duhet t’i shpërdoronim në atë pjesë të kulminante të kampionatit. Pavarësisht fillimit jo të mirë të kampionatit, në dy fazat e dyta bëmë mirë duke siguruar objektivin minimal, por pa mundur që të renditeshim në katër vendet e para.

Pra, po thoni që ka qenë një kampionat i mirë për ekipin?

Mendoj se ka qenë një vit i mirë. Kjo nuk diskutohet, sepse e kemi arritur të shmangim “play out”-in. Duhet të bëjmë maksimumin për t’u rritur akoma më shumë në edicionin pasardhës, si dhe për të krijuar një mentalitet fitues si ekip. Kur arrin objektivin, është gjithmonë sukses. Tani do të mendojmë për nisjen e sezonit të ri në Superiore.

Te Teuta jeni në shtëpi, a e shikon Arifi të ardhmen në Durrës?

Dihet që unë jam në shtëpinë time dhe përshtatja nuk ishte problem. Teuta ka qenë një ambient pozitiv për mua dhe mbështetja nga shokët e skuadrës dhe drejtuesit ka qenë e ngrohtë. Padyshim ambienti më ndihmoj të përshtatesha mirë, edhe pse në moshë të re. Për fat të mirë, dëmtime nuk kam pasur. Tashmë ndihem më mirë në Durrës, sepse jam i ambientuar me të gjithë dhe jam rritur si lojtar. Shpresoj dhe e kam bindjen se sezoni i ri të jetë i lumtur për të gjithë dhe të arrijmë objektivin që do vendosë klubi.

Pra, i qëndroni besnik skuadrës durrsake edhe për sezonin e ri?

Teuta është zgjedhja ime e parë dhe e vetme, pasi ndihem mirë këtu. Jam i kënaqur nga ekipi, ndaj pres një paraqitje shumë më të mirë.