Mesfushori i skuadrës së Teutës, Ergis Arifi, rrëfen gjithë edicionin e durrsakëve, si dhe pritshmëritë për vazhdimësinë. Sezonin e shkuar e konsideron të mirë dhe Arifi është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të mirë.

Si e vlerëson Ergis Arifi sezonin e fundit të Teutës?

Skuadra zhvilloi një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë dhe kjo na jep besim për të ardhmen e Teutës. Për mua, ndikoi pak dhe pjesa e dy fazave të para, por edhe fakti që kemi lënë disa pikë, që nuk duhet t’i lëshonim, sidomos kur ishim në kulmin e sezonit. Pavarësisht se zhvilluam dy faza të mira, nuk arritëm të shkojmë në vendin e katërt.

A mund të quhet ky një vit i mirë për ekipin?

Mendoj se ka qenë një vit i mirë. Kjo nuk diskutohet, sepse arritëm të shmangim “play out”-in. Duhet të bëjmë maksimumin për t’u rritur akoma më shumë në sezonin e ri, si dhe për të krijuar një mentalitet fitues. Kur arrin objektivin, është gjithmonë sukses. Tani do të mendojmë për nisjen e Superiores.

Tek Teuta jeni si në shtëpi. Si ka qenë ky sezon për Arifin në Durrës?

Unë jam në shtëpinë time këtu dhe përshtatja nuk ishte problem. Teuta ka qenë një ambient i mirë dhe mbështetja nga shokët dhe drejtuesit ka qenë e ngrohtë. Kjo më ndihmoi të përshtatesha mirë. Për fat të mirë, dëmtime nuk kam pasur. Ndihem komod në Durrës, sepse jam i ambientuar me ekipin dhe shokët, pasi këtu jam rritur si lojtar. Shpresoj dhe e kam bindjen se sezoni i ri do të jetë i lumtur për të gjithë dhe të arrijmë objektivin që do të vendosë klubi.

Keni një mendim për nivelin e Superiores dhe konkurrencën që fali edicioni i fundit?

Me bindje të plotë them që pas çdo viti, Kategoria Superiore pëson vetëm rritje. Normalisht, konkurrenca e madhe ka ndikuar dhe është një kampionat me pak diferenca dhe kjo e bën më të veçantë. Ky edicion e tregoi që konkurrenca është shumë e fortë, ku në vijën e parë për titullin kampion ishin në luftë 3-4 skuadra. Është rritur niveli i futbollistëve dhe i cilësisë.

Ku do ta shohim Arifin sezonin e ardhshëm, apo përsëri do të mbani veshur fanellën blu?

Pa diskutim tek Teuta. Është zgjedhja ime e parë dhe e vetme, pasi ndihem mirë këtu. Jam i kënaqur nga ekipi dhe po paraqiten mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje.