E nisi rrugëtimin e saj në futboll, shumë e vogël, ndërsa luante dhe driblonte me topin së bashku me vëllanë dhe çunat e lagjes nr.18 dhe ekipet e moshave.
E vijoi këtë pasion edhe më vonë, kur familjarisht emigruan në Gjermani, ku jetojnë prej 10 vitesh.
Këto ditë të fundvitit, 18-vjeçarja durrsake Arjela Lako është rikthyer në Durrës dhe ne përfituam për të bërë një intervistë me të.
“Kam qenë pjesë e ekipit të Teutës. Kam luajtur bashkë me vëllain në një ekip. Me çunat kam pasur qejf me loz, sepse ishin më të mëdhenj, më të shpejtë, mund të mësoje më shumë gjëra. Problem se kam pasur të luaja me ta, sepse kam pasur trup të fortë, isha mirë me driblimet”,– rrëfen ajo për “Durrëslajm”.
Suksesi më i rëndësishëm deri më tani për mesfushoren Lako është shpallja kampione e Gjermanisë në U-17 me ekipin e Hamburgut. Ky sukses erdhi pas një dëmtimi të rëndë, që e mbajti larg fushës së blertë rreth 2 vite.
“Më panë trajnerët e Hamburgut, më kërkuan. Donin që të shkoja tek ekipi i Hamburgut. Në fillim e kisha me dy mendje, sepse doja të rrija me ekipin e çunave, por më pas, meqë plotësova dhe moshën, duhet të ndërroja ekip patjetër. Me U-17 tek Hamburgu kemi fituar kupën e Gjermanisë, më futën tek 11-i i parë në finale, sepse trajneri e dinte çfarë unë mund të bëja. Unë mund ta bëja lojën siç e donte trajneri”.
Si një vogëlushe shqiptare, që 10 vite më parë shkoi të jetonte në një vend të huaj, fillimet për Arjelën nuk kanë qenë shumë të lehta.
“Në fillim kanë qenë pak racistë, sepse ishim të huaj. Na shanin dhe ne nuk kuptonim gjë, por unë jam fëmijë i dashur dhe nisa të shkoj mirë me të gjithë fëmijët. Po ashtu edhe vëllai. Nuk kemi pasur probleme”.
Pasioni për futbollin i është ngjizur që në vogëli nga babai i saj, por me kalimin e kohës, ishte një futbollist shumë i famshëm që u bë idhulli i saj.
“Për mua idhull është Cristiano Ronaldo. Për mua është një lojtar që luan me zemër dhe në mënyrë fantastike, por është njëkohësisht njeri që i ndihmon njerëzit.”
Me talentin e treguar në fushën e blertë në Gjermani, Arjela ka tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të kombëtares shqiptare të femrave, të cilët i kanë dërguar ftesë për t’u bërë pjesë e ekipit të drejtuar nga Armir Grima.
“Futbolli i femrave tani ka nisur në Shqipëri. Si lojtare unë dua, që edhe shoqet e ekipit t’i bëj të lozin me zemër kundër çdo ekipi me të cilin do përballemi, duhet të japim 100% në fushën e lojës”.
Futbolli ka qenë një bashkëshoqërues i viteve të para të fëmijërisë dhe adoleshencës së 18-vjeçares Lako, por pasioni dhe dashuria për këtë lojë kaq popullore duket se do ta shoqërojë gjatë futbollisten e talentuar.
M.B.