Holandezi Arjen Roben, është i lumtur që luajti titullar në ndeshjen kundër Verder Bremenit, derisa është shprehur i bindur për kualifikim në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.
“Ky shpërthim është një përgjigje për kritikët e mi. Trajneri më njeh shumë mirë. 90 minutat e kësaj ndeshjeje kanë ndikuar pozitivisht tek e ardhmja ime. Kur luan titullar bëhesh edhe më i fortë”, ka theksuar Roben, i cili shënoi njërin nga gjashtë golat në fitoren e bavarezëve kundër Verderit. Ndërkaq, duke folur për sfidën çerekfinale kundër Borusian e Dortmundit, Roben nuk ngurroi ta ‘kërcënojë’ skuadrën e Jurgen Klopit.
“Kemi të bëjmë me një duel prestigji, ku detajet e vogla do të bëjnë diferencën. Nëse kundër Verderit fituam 6:1 me 6 lojtarë të bankinës, atëherë Dortmundi e di shumë mirë se çfarë e pret të mërkurën”, ka shtuar Roben.