Pas gërmimeve nga francezët, arkeologët italianë zbarkojnë në amfiteatër. Një ekspeditë e përbashkët arkeologjike italo-shqiptare, ka nisur gërmimet në amfiteatrin e Durrësit.

Gërmimet do të zgjasin tre javë dhe kanë nisur në pjesën jug-lindore të tij. Gërmimet janë në fazën e parë dhe tashmë me zhvendosjen e banesave të vjetra sipër arenës së tij, pritet të zgjerojnë zonën e gërmimeve.

Arkeologët shqiptarë po punojnë së bashku me homologët e tyre italianë nga universiteti i Kietit. Gjatë viteve të kaluara arkeologët shqiptarë kanë realizuar disa ekspedita të ngjashme me arkeologët italianë të universitetit të Parmës. Në muajin qershor ishte ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze që gjatë gërmimeve, ka nxjerrë në dritë disa objekte që datojnë të shekullit II-të apo të III-të pas Krishtit.

Struktura të shtresave të hershme, si enë qeramike balte e qelqi, bizhuteri, enë bronxi si dhe struktura të tjera. Sipas arkeologut Eduart Shehi, tregojnë braktisjen e menjëhershme të një banese të rrëzuar në mënyrë dramatike.

Gjatë punës së tyre arkeologët kanë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romake. Gërmimet, u kryen në pjesën jugore të Forumit për të bërë lidhjen midis banjave që i përkasin periudhës romake që gjenden poshtë pallatit të kulturës.

K.H.