“Topi” i përgjegjësisë tani i ka mbetur në derë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe ministres Mirela Kumbaro, për të dhënë vendimin se çfarë do të ndodhë me sheshin Veliera.

Pas zbulimit të strukturës së periudhës osmane, 2 topave luftarakë, gjyleve, gurëve e shkronjave romake e ilire dhe dokumentimit të plotë të sajtit arkeologjik, arkeologët dhe punëtorët janë larguar nga sheshi poshtë kompleksit Fly duke e dorëzuar dokumentacionin e hollësishëm pranë Institutit të Monumenteve.

Ministrja Kumbaro do të vendosë nëse sajti do të ruhet, apo brenda tij do të vijojnë punimet për ndërtimin e këmbës së Velierës.

Së bashku me zbulimin arkeologjik, ekipi i arkeologëve i drejtuar nga as profesor Eduart Shehu ka dhënë vlerësimin edhe për dëmtimin që kanë pësuar themelet e godinës së zbuluar nga hedhja e plintave prej betoni dhe hekuri në 6 pika brenda saj.

Deri tani raporti i dorëzuar nuk është bërë publik.

Brenda këtij zbulimi, sipas projektit, do të ndërtohet një prej këmbëve të Velierës.

Me daljen në dritë të rrënojave arkeologjike, Gjykata Administrative në Durrës vendosi të pezullojë punimet brenda strukturave të zbuluara, ndërsa në të gjithë pjesët e tjera të këtij sheshi prej 12 mijë metra katrorë, punëtorët e firmës janë duke punuar.

Nga raporti i arkeologëve pritet të merret edhe vendimi përfundimtar nëse zbulimet e vjetra do të ruhen, apo nëse në këtë strukturë do të ndërtohet këmba e Velierës sipas projektit.

Vendimi final pritet të merret nga Ministrja e Kulturës dhe strukturat që ajo ka në varësi.

K.H.