Në Forumin Bizantin të njohur si Rotonda që i përket sipas specialistëve të arkeologjisë shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit, kanë filluar gërmime arkeologjike për sondazh nga një ekip i përbashkët arkeologësh shqiptaro–francezë, që po kryen studime mbi topografinë e Durrësit në lashtësi.
Gërmimet kanë nisur gjatë kësaj jave. Në këtë vend, nga gërmimet arkeologjike të një viti më parë kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin. Sipas specialistëve janë kanë konstatuar dhe janë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romane.
Muret janë thuajse në një nivel me objektin e termave romane të zbuluara poshtë ndërtesës së teatrit “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Më 6 qershor të vitit të kaluar në të njëjtin vend kanë dalë në dritë edhe objekte si një vazo varri funerar e cila u thye gjatë gërmimit. Ndërkohë kanë dalë në dritë mure të plota banese dhe kanalizimet e stilit roman.
Arkeologët janë shprehur se poshtë civilizimit bizantin e roman, mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire. Punimet do të vijojnë për këtë sezon deri në mesin e muajit qershor dhe rezultatet do të bëhen publike në një konferencë për shtyp.
Ekipi i përbashkët shqiptaro-francez kryesohet nga arkeologu Edi Shehi. Paralel me këtë sondazh po punohet edhe në afërsi të shkollës “Jusuf Puka”.
Ekipi francez ka disa vite që kryen gërmime në qytetin historik të Durrësit. Në gërmimet e kryera në oborrin e Mauzoleumit te Dëshmoreve ata kanë zbuluar se zona është e pasur në objekte arkeologjike që i përkasin qytetërimeve iliro-greko romane. Aty janë gjetur terma të periudhës romane, mozaikë si dhe fragmente qeramike të pikturuar.
K.H.