Përpunim, dokumentim dhe konservim i materialit arkeologjik të përftuar nga mbikëqyrjet dhe sondazhet
DURRËS, 4 korrik 2013 – Një bashkëjetesë e vështirë e qytetit modern të shekullit XXI me Dyrrah-Epidamnin e para dhe pas erës së re.
Në një raport vjetor të vitit 2009 të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) thuhet se janë bërë sondazhe dhe mbikëqyrje arkeologjike në sheshet e ndërtimit në zonën arkeologjike “B” në Durrës, si dhe përpilimi i relacioneve përkatëse:
1. Sheshi në rrugën “H. Demiraj”, lagjja nr. 7, periudha maj 2009;
2. Sheshi i ndërtimit në rrugën “Mujo Ulqinaku”, lagjja nr. 12, periudha qershor 2009;
3. Sheshi në rrugën “Hysen Myshketa”, lagjja nr. 5, periudha korrik-gusht 2009;
4. Sheshi në rrugën “Mujo Ulqinaku”, lagjja nr. 12, periudha korrik-gusht 2009;
5. Sheshi në rrugën “Bashkimi”, lagjja nr. 6, periudha tetor 2009;
6. Sheshi në rrugën “Andon Naçi” lagjja nr. 6, periudha korrik 2009.
Veprimtaria e sektorit të konservimit dhe arkeometrisë gjatë vitit 2009 ka përpunuar materialin arkeologjik të dalë në sheshet e ndërtimit të supervizuar nga ASHA, si dhe me verifikime të drejtpërdrejta në terren për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve.
Një material i konsiderueshëm arkeologjik (kryesisht pjesë amforash, tjegullash, kandila, fragmente enësh kuzhine, urna etj.) ka dalë në dritë gjatë sondazheve arkeologjike në disa sheshe ndërtimi të mbikëqyrura nga sektori i arkeologjisë së shpëtimit në qytetin e Durrësit, thonë ekspertët e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik Albana Hakani (sektori i arkeologjisë së shpëtimit) dhe Skënder Bushi (sektori i konservimit dhe arkeometrisë).
Qeramika e dalë nga këto gërmime është e formave dhe kategorive të ndryshme. Pjesën më të madhe të tyre e zënë amforat, të cilat janë të periudhave dhe formave të ndryshme.
Numrin më të konsiderueshëm të amforave e zënë amforat e klasifikuara si greko-italike, por nuk mungojnë as amforat afrikane të periudhës antike të vonë të tipit spatheion, etj.
Pjesa tjetër e amforave u përket atyre me origjinë mesdhetare-lindore, tip LRA 1 (Late Roman Amphorae 1), LRA 4 (Late Roman Amphorae 4), LRA 2 (Late Roman Amphorae 2) të fundit të shek. VI dhe fillimit të shek. VII.
Nuk mungojnë as amforat me origjinë nga ishujt e detit Egje, siç është rasti i një fragmenti amfore me origjinë nga Kreta, po e periudhës së antikitetit të vonë.
Qeramika e kuzhinës dhe terra sigillata është më e pakët në sasi, por edhe në origjinë.
Nga këto mbikëqyrje arkeologjike kanë rezultuar edhe 5 urna të përdorura për varrim, që kanë formë katërkëndëshe, dhe janë të punuar në gurë gëlqeror.
Pjesë e të dëmtuara nga faktorë atmosferikë, disa lotore, si dhe fragmente enësh prej qelqi.
Nuk kanë munguar rastet e përdorimit si urna të enëve prej qelqi apo amforave.
Po gjatë këtyre sondazheve arkeologjikë kanë dalë një kionisk, me material guri gëlqeror, si dhe një fragment arkitektonik ende i papërfunduar.
Gjatë sondazheve arkeologjikë dhe mbikëqyrjeve në terren janë hasur fragmente tjegullash helenistike.
Është bërë seleksionimi i objekteve sipas formave dhe kategorive, si dhe është bërë vizatimi i pjesës më të madhe të këtyre objekteve.
Të gjitha objektet e vizatuara deri tani janë përpunuar edhe grafikisht, duke i përgatitur ato në mënyrë përfundimtare.
Një pjesë e objekteve arkeologjikë (qeramikë, qelq dhe fragmente mozaiku), të përftuara nga sondazhet arkeologjikë dhe mbikëqyrjet në terren, paraqiste nevoja për konsolidim, konservim apo edhe restaurim të pjesshëm.
Fragmentet e qeramikës u trajtuan fillimisht me larje të thjeshtë me furça, sfungjer dhe më tej, me larje me ujë të distiluar për të eliminuar kripërat e tretshme, të cilat janë në fakt të padukshme me sy të lirë, thonë Hakani dhe Bushi.
Në përfundim të tharjes, fragmentet e qeramikës janë klasifikuar, shënuar dhe grupuar sipas formave dhe enëve përkatëse, për të lehtësuar më tej procesin e restaurimit të tyre nëpërmjet bashkimit të fragmenteve.
Bashkimi i fragmenteve u bë, mbas pastrimit të imët të buzëve të thyerjes të fragmenteve të qeramikës, duke përdorur ngjitës universal (UHU), një adesiv i ri-tretshëm.
Pjesët e brendshme të fragmenteve përforcoheshin me ngjitës letër shirit për të siguruar një mbështetje të mjaftueshme.
Gjatë këtij procesi, nuk u morën iniciativa për restaurim të pjesëve që mungonin.
E njëjta procedurë pastrimi, regjistrimi dhe integrimi u realizua edhe për fragmentet e qelqit.
Në fund të punës u përftuan 15 enë qeramike të restauruara pjesërisht dhe 5 objekte qelqi, raportojnë Hakani dhe Bushi.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





