DURRËS, 27 qershor 2014 – Një 26-vjeçar kokëkrisur nga aristokracia britanike, por tejet i kulturuar, lordi Arthur Evans, vjen në një qytet, të shpopulluar e të katandisur në një fshat të madh, që shqiptarët e quanin Durs në vitin 1877, por që Londrës i thotë se, nga pikëpamja tregtare, dikur Durrësi qëndronte ndaj Venecies sikurse qëndron Nju Jorku i vitit 1877 kundrejt Liverpulit.
Kështu “Dyrrah”-u i paraqet lexuesit të gjerë një fakt pak të njohur.
Jo vetëm kaq, për të prekur sedrën e bashkatdhetarëve të tij, Sër Evans-i thotë se Durrësi ka rëndësinë e dy qyteteve të La Manshit: Kale-së franceze dhe Dover-it britanik.
Dokumenti
Raguzë, më 27 maj [1877]
Sapo jam kthyer nga një udhëtim i shkurtër në Shqipëri, dhe në veçanti, në atë qytet, i cili nga pikëpamja e udhëtarit në kohët e lashta shtrihej në brigjet lindore të Adriatikut në të njëjtin raport si Brindisi është ende për Italinë. Durazzo – Durs, sikurse e quajnë shqiptarët, i njohur më mirë, ndoshta, për lexuesit anglezë si Dyrrahu klasik, i detyronte rëndësinë e vet të mëparshme, jo vetëm faktit se ishte porti më i përshtatshëm në pikën ku cul de sac-u [rruga qore] i Adriatikut fillon të ngushtohet dhe bregu italian afrohet me atë të gadishullit Ballkanik – jo vetëm se ishte përballë portit të madh italian të Brindisit, por për shkak të pozicionit në hyrje të vendkalimit kryesor që drejtonte trafikun tokësor nga Selaniku, Kostandinopoja, dhe Lindja e Mesme në kryqëzimin e udhëve detare perëndim-veri të Adriatikut. Durrësi ishte pikëmbërritja perëndimore e autostradës [highway] së madhe tregtare drejt lindjes, Via Egnatia, që nuk mund të kalonte më në veri për shkak të vargmaleve të mëdha të Bosnjës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut. Kështu Durrësi qëndronte ndaj Brindizit në të njëjtin raport lidhur me botët greke e latine sikurse qëndron Kale-ja (Calais)* ndaj Dover-it**; nga pikëpamja tregtare qëndronte ndaj Venecies /Venedikut sikurse qëndron Nju Jorku i ditëve tona kundrejt Liverpulit [Liverpool]. Kështu në të gjitha epokat e kaluara, qoftë si republikë [koloni] greke (që quhej gjithashtu Epidamn), qoftë si koloni romake, qoftë si bashki bizantine, ose nën varësinë e Venecias/Venedikut, Durrësi renditej ndër qytetet më të rëndësishme tregtare në të gjithë Evropën Lindore. Sa herë Perëndimi lëvizte forcën e vet agresive kundër Lindjes, që nga koha e luftërave civile romake – për konfliktin mes Pompeit dhe Cezarit ishte në një farë kuptimi konflikt midis Lindjes dhe Perëndimit – deri në ditën kur pushtuesit normanë të perandorisë bizantine kërcënonin ta bënin Durrësin Hestingz-in [Hastings]*** e botës lindore (dhe, për shkak të një fataliteti të çuditshëm, nën këto mure ishin mërgimtarët anglezë që luftuan si mercenarë në shërbim të perandorit grek dhe që u përpoqën të marrin hak për turpin e Senlac-ut mbi të afërmit e Pushtuesit) – në çdo periudhë, klasike dhe mesjetare, Durrësi është konsideruar, për shkak të ambicieve të Evropës Latine, si trampolina [në origjinal: stepping-stone: “gur për të kaluar mbi ujë, pengesa etj.”] më e rëndësishme për pushtimin e Greqisë dhe Orientit – shpërblimi i parë dhe më i çmuar i një guximi që përfundon me sukses.
Info
Sir Arthur Evans (1851-1941) ishte një arkeolog i njohur britanik, që përmendet së pari për zbulimin në vitet 1900-1903 të rrënojave të pallatit të Minosist në Knosos të ishullit grek të Kretës.
Jo më pak i njohur është interesi dhe pasioni i madh pë Ballkanin, sikurse u shfaq jo vetëm në librat “Nëpër Bosnjë-Hercegovinë më këmbë gjatë kryengritjes” [Through Bosnia and Herzegovina on Foot during the Insurrection] (Londër 1876), dhe “Kërkime antikuare në Iliri” [Antiquarian Researches in Illyricum] (Londër 1885), por edhe në shumë letrat që shkroi.
Kohët e fundit janë ribotuar vepra të tij për Ballkanin: “Iliria antike: eksplorim arkeologjik” [Ancient Illyria: an Archaeological Exploration] (Londër: I. B. Tauris 2006) dhe “Letra nga Shqipëria: nacionalizmi, pavarësia dhe Lidhja Shqiptare” [Albanian Letters: Nationalism, Independence and the Albanian League] (Londër: I. B. Tauris 2008).
Mes shumë letrave nga Ballkani është edhe një (letra XIII) mbi Durrësin, shkruar nga Raguza më 27 maj 1877.
“Dyrrah”-u ka konsultuar botimin e vitit 1878 [shih montazhin], kur ka përkthyer paragrafin e parë të titulluar “Rëndësia e Durrësit në të kaluarën” nga libri “Letra nga Iliria” [Illyrian Letters].
Shënime:
* Kalé [frëngjisht: Calais] është qytet dhe port i madh tragetesh në Francën veriore në departamentin e Pa dë- Kalesë [Pas-de-Calais]; mbikëqyr ngushticën e Doverit, në pikën më të ngushtë që është vetëm 34 km e gjerë këtu, dhe është qyteti më i afërt francez me Anglinë.
** Dover është qytet dhe port i madh i tragetesh në kontenë e Kentit, në Anglinë Juglindore. Ndodhet përballë Francës në pjesën më të ngushtë të La Manshit.
*** Hestingzi [Hastings] është një qytet në kontenë e Saseksit Lindor [East Sussex], në bregun jugor të Anglisë. Nga aspekti historik, Hastings është bërë i famshëm për pushtimin e Anglisë nga normanët. Fillimi i pushtimit norman ishte beteja e Hestingzit, më 14 tetor 1066; ndonëse beteja vetë u zhvillua 13 km në veri në Senlac Hill. Ishte betejë midis ushtrisë normane-franceze të Dukës Uilliam II i Normandisë dhe një ushtrie angleze të Mbretit anglo-sakson Harold II. Në sfond ishte vdekja e mbretit pa fëmijë Eduard në janar 1066, që shkaktoi një luftë për trashëgiminë midis disa pretendentëve për fron. Haroldi u kurorëzua mbret fill pas vdekjes së Eduardit, por u përball me sulmet dhe dyndjet e Uilliamit, vëllait të vet Tostig dhe Mbretit Harold III i Norvegjisë.
/Përkthimi, info dhe shënimet nga th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





