Arkeologu Gjergj Frashëri, në një botim mbi rezultatet e gërmimit në “Lulishten 1 Maji” në Durrës, ku sot është ndërtuar një pallat, ndonëse flitet se do të ndërtohet nën të një muze modern. Në librin prej 600 faqesh, “Dyrrahu ilir”, për herë të parë arkeologu artikulon nga burime antike se Dyrrahu nuk ishte pushtuar nga Roma, ishte i lirë, i pavarur

Dyrrahu ka qenë qytet i lirë. Romakët e quanin qytet të lirë. Për këtë arsye qyteti antik, bregdetar shqiptar një nga portet më të mëdha të Adriatikut lindor gjatë periudhës antike, nuk ka qenë i pushtuar ndonjëherë nga romakët, siç është thënë deri tani. Arkeologu Gjergj Frashëri dje ka dhënë këtë përfundim historik, duke publikuar librin prej 600 faqesh me gërmimet e shpëtimit arkeologjik në “Lulishten 1 Maji” të Durrësit, aty ku ishte vendosur një nga lagjet e para antike të qytetit, duke thënë se nga hulumtimet e gjithë periudhave nga gjurmë antike burimore, origjinale nuk ka hasur ndonjëherë që Dyrrahu të jetë pushtuar, por vetëm se administrata dhe gjuha u vendos romake.

Epidamn-Dyrrahu prej periudhës antike të vonë e asaj mesjetare, vazhdoi në të njëjtin territor ekzistencën e tij si një qendër ekonomike e rëndësishme deri në ditët tona. Një qytet me një jetë aktive prej 28 shekujsh, në Dyrrahun e njohur në botën antike si “taberna e Adriatikut” nevoja e ndërtimeve bashkëkohore kushtëzoi ndërmarrjen e gërmimeve arkeologjike disa vjeçarë nga prof. dr. Gjergj Frashëri në vendin e quajtur “Lulishtja 1 maji”, të cilat nxorën në dritë mbetjet e lagjes së zejtarëve e tregtarëve, rezultate të cilat janë në qendër të këtij studimi.

Rreth dy dekada si specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, i angazhuar sistematikisht në fushën e historisë së artit të ndërtimit, të fortifikimeve dhe të ndërtesave religjioze, të krishtera dhe islamike. Prof. Frashëri ka qenë shkencëtar i ftuar i fondacionit “Alexander von Humboldt” në Universitetin e Mynihut dhe të Bonit në Gjermani, por duke kaluar për dy dekada edhe përvojë në krye të institucionit të tij privat me qendër në Berlin, Keln dhe Aachen, si drejtues i disa gërmimeve të mëdha arkeologjike në Gjermani, rezultatet e të cilave janë botuar në organe shkencore si dhe në pesë botime monografike.

Me rezultatet e gërmimit të shpëtimit arkeologjik në “Lulishten 1 Maji” për herë të parë shihet urbanistika e qytetit antik Dyrrah. Shtëpitë janë vendosur njëra pas tjetrës, secila me ambientet e banimit kryesisht në katin e sipërm, me mjediset e punës në pjesën e pasme të katit përdhe, dhe me dyqan apo magazinën përpara rrugës për shitjen e prodhimeve. Rrugët e shtruara me gurë dhe anësuar me portikë, trotuare nën portikët, kanale shkarkimi ujërash në të dyja anët e rrugës dhe me tubacione të ujit të pijshëm, përbëjnë dukuri urbane të sistemit iliro-helen, të konsoliduar nga administrata romake dhe të përdorur më tej në kohën bizantine, me një zgjidhje me karakter origjinal tipike për Dyrrahun. Ky konsiderohet një zbulim i rrallë si edhe në Romën e madhe, Pompein, Erkulanean, apo qytete të tjera të famshme të botës romake. Deri tani ky konsiderohet i vetmi gërmim shpëtimi sipas standardeve evropiane të kryera në Shqipëri, bërë në vitin 2010 në qytetin bregdetar të Durrësit, Dyrrahut antik. Deri në 2010-ën, aty ndodhej një sipërfaqe e gjelbëruar me emrin “Lulishte 1 Maji”. Ky projekt arkeologjik intensive u krye prej majit 2010, deri në tetor pot ë këtij viti, nga shoqëria arkeologjike “AKe R”, sh.p.k nën drejtimin e arkeologut dhe restauratorit Gjergj Frashëri, i cili në intervistën për Mapon flet dhe për betonin e hedhur në këtë lagje antike dhe pallatin e ndërtuar mbi të, tani me dëshmi të vetme, librin “Dyrrahu ilir”.

Është një fakt historik, që ju e sillni për herë të parë në këtë studim: a ka qenë Dyrrahu i pushtuar nga romakët?

Dyrrahu ka qenë qytet i lirë. Romakët e quanin qytet të lirë. Romakët kur pushtonin e kthenin në koloni, ata donin t’i qytetëronin vendet me dhunë. Kur romakët erdhën në Durrës ata gjetën një qytet shumë të zhvilluar. Për këtë arsye e lanë qytet të lirë. Ata nuk arritën ta bënin koloni, por vetëm se administrata dhe gjuha u vendos romake.

Pra, ishte një kompromis?

Po, jam i mendimit se ishte kompromis. Roma duke përfshirë edhe Durrësin bëri kompromis me katër qytete që kur erdhën në shekullin e III të p.e.s, e deri në përfundimin e kohës së republikanëve,  ajo ka qenë qytet i lirë. Roma donte ta kishte vetëm nën varësinë e saj, si administratë romake. Pra jo ta sundonte, jo ta trajtonte si koloni, si qytet i varur ku mund të bënte çfarë të donte Roma. Durrësi kishte një pavarësi qytetare, shtetërore.

Ku jeni mbështetur për këtë të dhënë kaq të rëndësishme historikë?

Ne kemi hulumtuar të gjitha burimet antike, origjinale, jo siç janë trajtuar nga shumë autorë duke i kaluar të dhënat nga njëri tek tjetri. Duke shfrytëzuar të gjitha burimet origjinale antike kemi arritur t’i parashtrojmë në libër, duke ndjekur në të gjithë shekujt e kohës romake, helene, bizantine fatin e këtij qyteti në dokumente, dhe nuk na del ndonjëherë se ka qenë i pushtuar.

Është një reaksion që vjen natyrshëm çfarë ka ndodhur në këtë zonë. Në rregull, vlerësimi i punës së librit është i padiskutueshëm, pasi tashmë ky botim bën të vetmen dëshmi që kemi nga lagjja antike e Durrësit, ndërsa mbi të është hedhur beton….

Prisni një sekondë, ajo nuk është e gjitha e betonizuar, aty është lënë bërthama e gërmimit dhe rrugët janë nën pallat. Aty do të bëhet një muze me pjesë të ruajtura origjinale dhe të gjitha çfarë janë gjetur do vendosen rreth e rrotull. Ndoshta do të jetë muzeu më i bukur. Por me dëshminë origjinale të kryqëzimit të rrugëve.

Por është një pallat i ndërtuar aty?

Pallati i ndërtuar ka marrë miratimin nga qeveria dhe shteti. Ne jemi privat.

Kjo tregon rolin e pakët, pafuqishmërinë e Akademisë së Shkencave?

Akademia s’ka asnjë punë me ligjin. Akademia është institucion shkencor. Ligjet i kanë ministritë, qeveria dhe shteti. Ata i marrin vendimet. As Akademia, ekspertë private, si puna jonë, as universiteti nuk merr vendime për ruajtje. Ruajtjet i ka shteti qeveria dhe ministria.

Kështu i bie të dorëzohen Akademia, Universiteti dhe arkeologët sa herë qeveria miraton, si në këtë rast një krim kulturor?

Asnjëri nuk dorëzohet, por përpara qeverisë duhet të zbatosh vendimin e saj. Nuk mund të protestosh derisa vendoset.

Ky është kompromis?

Edhe pronarët bëjnë kompromis.

/Marrë nga "Mapo"