20shtator 2015 –  “Ndërsa në Shqipëri, në shek. IX-XI, kishte kështjella të fuqishme, me mure guri dhe qytete të mëdha të fortifikuara, si Durrësi, Berati, Kanina, Lezha, Himara etj., në Evropën Perëndimore vazhdonin të përdoreshin fortesat prej druri”, thotë prof. Gjerak Karaiskaj, ekspert i njohur ndërkombëtarisht në lëmë të arkeologjisë.

Prof. Karaiskaj shkruan se pushtimi romak ndërpreu për një kohë zhvillimin normal të jetës ekonomike, politike dhe kulturore të Ilirisë. Rrënohet një numër i madh qytetesh të fortifikuara dhe kështjellash, sidomos në Epir. Fortifikimet kufizohen vetëm në disa nga qytetet kryesore të bregdetit, si Butrinti, Apolonia, Durrësi, Lezha etj.

Ndërkaq, në teknikën e ndërtimit të mureve mbrojtëse futen elemente të reja, si llaçi për lidhjen e gurëve dhe tulla e pjekur.

Shthurja e sistemit skllavopronar dhe dyndjet e popujve në shek. IV-VI, sjellin si pasojë një shtim të aktivitetit ndërtimor në drejtim të fortifikimeve. Fortifikohen në fillim qendrat e banuara pranë rrugëve kryesore dhe qytetet më të rëndësishme. Ndërtohen gjithashtu kështjella të vogla, që bënin pjesë në sistemin fortifikues të qyteteve të mëdha dhe të rrugëve kryesore të komunikacionit. Ky aktivitet ndërtimor mori një përpjesëtim më të madh sidomos në shek VI, në kohën e sundimit të perandorit me origjinë ilire, Justinianit I.

Një zhvillim të dukshëm pati arkitektura ushtarake edhe gjatë mesjetës së hershme dhe asaj të zhvilluar. Ecurinë e saj mund ta ndajmë në dy etapa kryesore, e para që përfshin shek. VII-XIII dhe e dyta shek. XIV-XV. Në periudhën e parë, fortifikimet shqiptare kishin arritur një shkallë të lartë zhvillimi. Mjafton të përmendim se ndërsa në Shqipëri, në shek. IX-XI, kishte kështjella të fuqishme, me mure guri dhe qytete të mëdha të fortifikuara, si Durrësi, Berati, Kanina, Lezha, Himara etj., në Evropën Perëndimore vazhdonin të përdoreshin fortesat prej druri. Mjaft elemente të fortifikimeve, që u përhapën nga kryqtarët në Evropë gjatë shek. XII-XIII, i hasim në fortifikimet shqiptare në një periudhë më të hershme. Por edhe pas shfaqjes së artilerisë dhe kalimit të qendrës së gravitetit nga Lindja në Perëndim, ato ndoqën hap pas hapi përparimet e artit të fortifikimit, që kushtëzohej nga zhvillimi i mjeteve dhe mënyrave të sulmit.

/red. th. m. DurresLajm/