Nga BUJAR QESJA

E kisha planifikuar, mbase jo në këtë të premte të 17 dhjetorit 2021, për t’iu përkushtuar një pamje të rrallë të volejbollit të “Lokomotivës”. Ka shumë gjëra të rralla aty, mbase edhe vetë nuk i dija deri këtu. Por nxitjen e sotme ma dha një njoftim pa bujo, ashtu siç i bëjnë durrsakët, pa u ndjerë por me mall dhe dëshirë. Besa Shapllo, motra e shokut tim nga më të mirët Agron Xhungës, bënte me dije se babai i saj Miro Xhunga, ishte në ditën e lindjes. Natyrisht që bëra urimin tim, por ndërkohë njëri prej sirtarëve të arkivës filloi të “lëvizë”. Kujtohem që fotoja e 23 korrikut e vitit 1959, fiksuar 62 vite më parë kishte në ballë të saj pikërisht këtë Miro Xhunga, shumë të njohur në Durrës.

Me një energji rinore, por edhe me një freski të kujtesës së moshës dhe të profesionit, merrem me këtë fotografi dhe e vendos përballë vetes. Më duket sikur fillova të bisedoj me personazhet e saj. Janë durrsakët tanë të shkëlqyer, volejbollistë dhe baketbollistë të nivelit mjaft të mirë për kohën. Ecim së bashku miqtë e mi, për të mësuar se cilët janë në këtë foto. Janë durrsakë të hershëm, familje të fisme dhe tradicionale vendase. Po ju kujtoj mbiemrat, për të dalë më pas të plotësimi me emrat që u takojnë. Mbiemra të tillë si Goga, Cara, Njala, Prifti, Golashi, Llalla, Llazo, Vokopola janë më shumë se të dëgjuar, më shumë se të njohur, më shumë aktivë në jetën dhe përditshmërinë e qytetarisë durrsake.

Duhen fakte të tilla, të lëvizim e në të gjithë rastet t’i bëjmë publike, për të treguar se kemi qenë, jemi dhe do të jemi edhe më tej. Një foto e rrallë, vetëm 15 vite pas çlirimit të Shqipërisë, të mund të ndërtohet një ekip i tillë volejbolli me shumë emër, me shumë potencë, me shumë vitalitet, e mbi të gjitha me shumë shpirt, me shumë zemër dhe forcë morale. Kjo ka qenë “Lokomotiva” e jonë e Durrësit, ecur mbi shina të vendosura nën t trase të forta, të palëkundura.
Më kishte marrë malli për një dyshe të tillë, që fati i ka bërë bashkë. Janë Ramazan Njala dhe Dilaver Cara. Që të dy gjyqtarë të ndeshjes ndërkombëtare të volejbollit ndërmjet “Lokomotivës” vendase dhe ekipi mik të provincës së Kantonit të RP të Kinës. Volejbolli kinez kundrejt Shqipërisëe dhe Durrësit, as nuk mund të llogaritet nga niveli dhe cilësia. Ndeshja është zhvilluar me 23 korrik të vitit 1959. Dhe ndeshja luhej në parkun magjik “Nako Spiru”, në atë park që gjallon e përjetshme tradita e jonë, historia e këtyre djemve.

Më i madhi duhet të ketë qenë Dhimitraq Goga, 24 vjeç. Të tjerët në kufijtë e 18, 19 dhe 20 vjeçëve. Të rinj të aftë, por edhe shumë të fuqishëm. Napolon Llalla dhe më pas Lluka Prifti, do të shkëlqenin në takimet ndërkombëtare. Madje Llalla në një veprimtari të rëndësishme botërore, përcaktohet në Moskë si realizuesi i shërbimit më mjeshtëror. Merita të mëdha ka edhe Lluka Prifti. Po kështu edhe Dhimitraq Goga. Në një plan gati tentonin të ishin me ta edhe Golashi, Vokopola, Llazo, Gorea e Koçi.

Të dalim përsëri tek Njala dhe Cara. Zani me një ndihmesë të madhe në të gjithë sportet. Sado që jemi marrë me të, përsëri i mbetemi borxhli. Portreti i tij mbetet ende i paplotësuar në linjën e duhur. Portjer në futboll, hendbollist, kërcyes së gjati, vrapues, basketbollist, volejbollist, e më pas fotograf, filatelist, përkthyes, e më pas aktor si ai i humorit, kumpletist e parodist, regjisor, e çfar nuk ishte Zoni ynë. Dhe tani në këtë pamje, e shikojmë në pozicionin e gjyqtarit. Sa i shkon bilbili në gjoks! E pranë tij Dilaver Cara, i miri, i shkëlqyeri Dilaveri ynë. Fama e tij u rrit teksa gjykoi një ndeshje ndërkombëtare në Tel Aviv, e durrsakët e shikonin me mburrje. Atlet, gjyqtar ndërkombëtar, kuadër i përkryer i fizkulturës. Ka mbajtur peshë të madhe dhe ka meritë gjithashtu të madhe në zhvillimin e lëvizjes sportive në Durrës. Duhet ti evidentojmë këto figura, pasi janë historia e jonë, janë tradita e jonë, janë të mirët tanë.

Dhimitraq Goga, gjigandi i rrjetës dhe i koshit. Personifikimi më i mirë i arritjeve tona në lojrat me dorë. Të gjitha titujt që ekzistojnë i ka fituar i famshmi Goga. Sa ka punuar për Durrësin. Sportist, trajner, instrumentist në filarmoni, mësues, kuadër drejtues. Kanë qenë të mënçur, por shumë të thjeshtë.
Vijmë tek Napolon Llalla. Volejbollist klasi, trajner, por edhe artist. Roli i Skëndërbeut në operan me të njëjtin titull, ka përmasa fantastike. Mbetet historike si vetë angazhimi i tij në volejboll. Dhe Lluka Prifti. Volejbollist, trajner, mësues, kuadër drejtues në klubin sportiv “Lokomotiva”. Çfarë gigandësh kemi patur!

Dhe do ti bashkoja si gishtat e njërës dorë të gjithë të tjerët, me Naun Llazon, pasuesin virtuoz, së bashku me Krenar Golashin. Shuterë të fuqishëm dhe rezultativ mbetën Omir Vokopola, Aleksandër Gorea, Vasil Prifti e Petraq Koçi. Një plejadë e tërë që punuan fort për të nderuar Durrësin. Kushtet minimale, nuk ia zbehën fuqinë dhe aftësitë për të dhënë rezultate maksimale.

Dhe ndalemi tek Miro Xhunga. Këtu në këtë pamje Miro Xhunga, duhet të ketë qenë në postin e Kryetarit të Komitetit Ekzektuiv të kp të Rrethit të Durrësit, në mos gaboj. Siç kishte emrin ashtu edhe ishte. Kuadër me përvojë. Spikatës në luftën për çlirim, së bashku me martiren Liri Xhunga. Kuadër drejtues në shumë ekonomi dhe gjithnjë punoi më pasion dhe ndershmëri. Po kështu edhe Milorad Jeremiq. Kuadër nga më të mirët në sporte. Mbaroi Akademinë e Sporteve në Beograd. Luajti portjer me “Teutën” në vitet 40-të dhe 50-të. Me siguri deytra e Miloradit këtu, do të ketë qenë në drejtim të Komitetit të Kulturës fizike e sporteve të rrethit. Punoi me shumë dashuri vitet e fundit të jetës, pa shpërblim, por duke u shpërblyer nga respekti i njerëzve.

Dy gjytarë! Nëntë volejbollistë! Dy kuadro të përkushtuar! Këto të 13-të janë të vendosur në këtë foto, që daton me 23 korrik të vitit 1959. Sa mall! Sa sentiment ka në të! Brenda historisë së përgjithshme, sa histori të veçanta që lidhen me sportin ka secili prej tyre. Dhe na takon t’i kujtojmë, pasi janë pjesë e jona, janë identiteti ynë.
Janë të paharruarit tanë. Mirnjohja ndaj tyre as që mund të vihet në dyshim, është detyra jonë e përhershme.
13 vetë! Historia e jonë gjithnjë e ndezur. Të jetojmë me kujtimin e tyre!

Durrës: 17 dhjetor 2021
Në këmbë nga e majta: Ramazan Njala, Dilaver Cara, Dhi,itraq Goga, Petraq Koçi, Vasil Prifti, Miro Xhunga, Milorad Jeremiq, Krenar Golashi, Omir Vokopola.
Majtas, në gjunjë: Aleksandër Gorea, Lluka Prifti, Naun Llazo, Napolon Llalla.
Dalë në parkun sportiv “Nako Spiru”
Durrës, 23 korrik 1959