Për më shumë se 40 vite, Ulf Schwerin ka jetuar në Stora Mellösa. Ai ka qenë prej kohësh i shqetësuar nga shoferët dhe trafiku i rënduar, që ngasin shumë shpejt në Göksholmsvägen.
Ulf Schwerin mendon se shenjat e uljes së shpejtësisë janë të pamjaftueshme. Ai thotë se ka bërë ankesa me shkrim, ka qenë në kontakt si me Administratën Suedeze të Transportit, ashtu edhe me policinë. Por asgjë nuk e ka ndihmuar, mendon ai.
Një ditë ai pa një grua në Facebook, e cila qëndronte jashtë me një tharëse flokësh në anë të rrugës për të imituar një oficer policie me një instrument matës të shpejtësisë.
Vajza e gruas ishte vrarë nga një makinë jashtë shtëpisë, kështu që ajo vendosi t’u drejtonte një tharëse flokësh shoferëve për t’i bërë ata të ngadalësonin shpejtësinë.
Javën e kaluar, Ulf Schwerin veshi një jelek të verdhë, vendosi një kapele në kokë dhe doli në rrugë me tharësen e flokëve të gruas së tij.
Për rreth një orë e gjysmë ai drejtoi tharësen e flokëve drejt përdoruesve të rrugës, duke marrë reagime të shumëllojta, pozitive dhe negative. Madje, ai ka marrë oferta për të patrulluar edhe në zona të tjera të qarkut me tharësen e flokëve.
Në një grup lokal në Facebook, banorët e zonës pyetën nëse ajo që kishte bërë ishte e ligjshme. Mikael Cederblad, i cili është udhëheqës i grupit në njësinë e trafikut të policisë në Örebro, nuk mund të shohë asgjë të paligjshme në veprimet e Ulf Schwerin: “Për sa kohë që ai nuk fillon të ndalojë makinat, as nuk shkruan ‘policia’ në jelekun veshur, është në rregull”.