Recep Tayip Erdogan është njeriu më i përfolur në media ditëve të fundit. Një pothuajse-grusht-shteti ngjalli debate të shumta nëse Presidenti i Turqisë e kishte stisur apo jo këtë revoltë ndaj tij, me qëllimin për të spastruar radhët e ushtrisë dhe gjykatën e për të përforcuar pushtetin.

Nëse i qëndrojmë logjikës se asgjë nuk ndodh jashtë kontrollit të Erdogan-it, do të na duhej të rishikonim patjetër edhe martesat e vajzave të tij. Kur vajza e madhe, Esra, u martua në 2004-ën me Berat Albayrak-un, mediat ndërkombëtare e krahasuan dasmën me një 'takim diplomatik'. Kur vajza e vogël, Sumeyye, u martua në maj të 2016-ës me industrialistin e mjeteve luftarake Selcuk Bayraktar, ishte një mbledhje diplomatike.

Zyrtarë të lartë të shtetit turk, Kryeministri i Pakistanit Naëaz Shariff, Kryeministri i Libanit Saad Hariri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ishin disa prej krerëve të shteteve të ftuar në këtë dasmë të madhe. Sumeyye u martua me Selcuk Bayraktar, i cili bashkë me të atin Ozdemir Bayraktar drejton prodhuesen e mjetit të parë ajror luftarak pa pilot në Turqi.

Në vitin 2004, martesa e Esra-s me Berat Albayrak-un, djalin e një gazetari shumë të njohur në Turqi kishte një vlerë tjetër. Në një kohë kur Turqia kërkonte të bëhej i pari shtet kryesisht islamik në Bashkimin Evropian, të ftuarit – disa me shami e të tjerë jo – duket sikur ishin një përpjekie për ta paraqitur Turqinë si një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit.

Të dyja vajzat, si Esra ashtu edhe Sumeyye, janë përfolur shumë në shtypin e huaj pasi për shkak të moslejimit të shamisë në shkollat publike turke, shkuan të studionin jashtë, në Amerikë dhe Britani të Madhe. Por Sumeyye, edhe pse është më e vogël, duket se do të jetë trashëgimtarja e vërtetë e pushtetit të të atit Recep.

Kur ajo u kthye nga studimet në Angli për Shkenca Politike, shoqëroi babain e saj në parlament, ku në 2010-ën ende nuk ishte e lejueshme mbajtja e shamisë. Prania e Sumeyye-s atje ngjalli përsëri dyshime se ajo po përgatitej t'i hynte politikës dhe se për hir të saj, do të pranoheshin në parlament edhe gra të tjera me shami. Në 2013-ën, Merve Katakci u bë e para deputete që mbante shami në parlamentin turk.

Ndërkaq, ndërsa Esra duket të jetë më e tërhequr, Sumeyye vijon të ndjekë babain tashmë në rolin e këshillueses politike. Ajo është pranë tij në takimet më të rëndësishme politike apo diplomatike, edhe në ato me dyer të mbyllura.

Dhe pas martesës me industrialistin e avionëve luftarakë pa pilot, Sumeyye Erdogan mund të kthehet shumë shpejt në një grua të fortë shteti, e aftë për të shkuar larg edhe pa drejtimin e babait. /ANABEL