Nga Myzejen Konduri

    Unë nuk i ndjek shumë ndeshjet e futbollit, por kur luan skuadra e Kombëtares që na përcjell emocione të fuqishme, bëhem pjesë me dëshirë duke e parë dhe me sy kritik, jo si tifoze e sëmurë.

 Këtë radhë, pas fitores së mrekullueshme në “AIR ALBANIA” të Kombëtares së Futbollit, për të cilën flitet brenda e jashtë vendit si më e mira e Grupit…kur pashë lotët në sytë e z.Sylvinho dhe lotët në sytë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, u motivova e guxova për të shkruar disa mendime e vlerësime të merituara.

 Pra ketë herë, nuk do të flas me esklamacion për Skuadrën e Kombëtares së Futbollit. Nuk do të shkruaj për golashënuesit magjikë Daku & Hasani. S’do të komplimentoj me hiperbolë zmadhimi z.Sylvinho, Trajnerin që përzgjodhi vetë Presidenti i FSHF-së…

 Ai që e meriton Lavdinë në këto rreshta, është vetë z. Armand Duka.

Këto arritje të FSHF-së nën drejtimin e menaxhimin e tij, janë frymëzuese.

Statusi si lider i FSHF-së i z.Duka, tregon se ai ka ditur të ecë me kohën. Me mençuri, ndjeshmëri e një menaxhim perfekt, ka bërë që me arritjet, veçanërisht me Kombëtaren e Futbollit, të na bëjë krenarë.

Talenti i tij i spikatur menaxherial, qendrimi dinjitoz duke ruajtur, kultivuar e reklamuar vlerat e futbollit shqiptar, sporti me popullor në Shqipëri, e ka evidentuar e vlerësuar atë, brenda e jashtë vendit. Në hierarkinë e vlerave, në këtë rrugëtim, Armand Duka diti të ngjitej deri në UEFA.

   Me portretin e tij fisnik, Mondi sic e thërrasin bashkëqytetarët e sportdashësit, përcjell mirësi dhe tek e sheh e dëgjon në TV & Gazeta, ashtu të qetë, racional, bindesh se megjithë pengesat që ka hasur e has në detyrat që duhet të kryejë, nuk thyhet, nuk i braktis objektivat. Përkundrazi, e ndjen thellë përgjegjësinë, duke të ngjallur shpresë e optimizëm për fitoret e së ardhmes.

Ai nuk fryhet me fjalë e premtime boshe. I shpërfill me një nënqeshje ata që shpifin e baltosin punën e bërë, zilinë e xhelozinë e të papërgjeshmëve.

Sa i përmbajtur aq dhe fshikullues bëhet me vërejtjet e strategjitë që duhen për zbehjen e shfaqjeve jo etike në disa ndedhje e rritjen e zbatimit të kërkesave që kërkon futbolli sot.

Është i pakundërshtueshëm fakti që roli dhe puna e Armand Dukes, treguesit e arritjeve në vite, kanë bërë që të ndjehet Madhështia e kësaj loje, duke lartësuar figurën e tij dhe futbollin që gjen reflektimin e popullaritetit të këtij sporti që ka nxjerrë yje.

Këta yje, me talentin e tyre në fushën e lojës, bëhen ëndrra e qindra të rinjve, për t’i ndjekur në rrugën e jetës.

Është vetë z.Duka mbështetës e frymëzues për talentet. I pa kursyer per Drejtuesit  e Skuadrave, vecanërisht  e Skuadrës Kombëtare që me magjinë e lojës së lojtarëve, fuqinë e emocioneve, i ka ngritur peshë shikuesit e tifozët.

Me përvojën e deritanishme si lider i FSHF-së, me njohjen e çdo skute të problemeve, veshtirësive e objektivave, me forcën e shpirtit luftarak, pa zhurmë e bujë, mundësoi rritjen e emrit të futbollit e futbollistëve shqiptarë.

Vetë z.Duka, është bërë simbol i drejtuesit të sukseshëm. Vizioni si Lider i FSHF-së dhe talenti menaxhues, ka bërë që rezultatet dhe emri i tij, të gdhenden në Memorien Popullore.

Uroj që Ëndrra për Kampionatin Europian të mos ndërpritet!

Natyrisht në fund, s’mund të rri pa kujtuar dhe familjen e tij të bukur, me bashkëshorten e fëmijët e mrekulluedhëm që janë fitorja më e madhe e jetës së Armandit, që e mbështesin pafundësisht, duke e mbështjellë me dashuri, respekt e krenari.

Arrifsh maja të tjera suksesi z. DUKA!