Interi do të vendos yllin e dytë në fanellë, pasi triumfi 2-1 në derbi kundër Milanit, i shpalli matematikisht kampion.

Shijen e fitores në derbi e përjetoi edhe mesfushori i kombëtares shqiptare Kristjan Asllani, i cili u aktivizua në fund të pjesës së dytë nga trajneri Inzaghi.

Asllani, mori shumë mesazhe për titullin e fituar, por një urim të veçantë ia bëri edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Nder dhe krenari të shohim një lojtar të Kombëtares shqiptare të shpallet kampion në Serie A. Urime titullin kampion Kristjan Asllani!”, shkroi Duka në profilin e tij në Instagram.

Në këtë sezon Asllani, ka zhvilluar performanca pozitive me zikaltrit, teksa ka grumbulluar 27 ndeshje 1 gol dhe dy asiste në të gjitha kompeticionet.

Pas Juventusit, Interi është ekipi i dytë me më shumë tituj kampion në Itali, 20, 1 më shumë se Milani.