Makthi mori fund… Armando Broja u rikthye në fushë te Chelsea dhe ndihet i lumtur që preku topin pas një kohe të gjatë.
Sulmuesi shqiptar e nisi ndeshjen me Aston Villa-n nga stoli duke u aktivizur në minutën e 79’-të.
Pas ndeshjes, sulmuesi i Chelsea-t shprehu keqardhje për humbjen 0-1, ndërsa i falënderoi të gjithë ata që i qëndruan pranë dhe punuan me të për t’u rikthyer në fushë.
“Natyrisht nuk është rezultati që prisnim sot, por çfarë ndjesie e pabesueshme dhe emocionale të kthehesh në fushë pas kaq shumë muajsh jashtë. Faleminderit djema për mbështetjen dhe faleminderit të gjithëve që punuan për kthimin tim”, ka shkruar Broja në Instagram.
Rikthimi i tij është një lajm i shkëlqyer edhe për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho, i cili pritet ta grumbullojë Brojën për ndeshjen e rëndësishme të Kombëtares kundër Çekisë më 12 tetor.





