Presidenti i Fedreatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar pas vdekjes së ish-futbollistit të Lokomotivës së Durrësit, Vladimir Ajazi.

Duka përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se Ajazi ishte pjesë e brezit të artë të futbollit durrsak që ka hyrë në histori dhe ka mbetur në memorien e qytetit bregdetar.

Presidenti i FSHF-së i shpreh ngushëllimet familjes Ajazi, ndërsa thotë se kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për Durrësin dhe futbollin shqiptar.

POSTIMI I PLOTË I DUKËS:

I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim dhe ish-futbollistit të njohur, Vladimir Ajazi. Ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit dhe i ekipit kombëtar Shpresa në vitet ’70, ai ishte pjesë e brezi të artë të futbollit durrsak që ka hyrë në histori dhe ka mbetur në memorien kolektive të qytetit bregdetar.

Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Lad Ajazi vazhdoi të jepte kontributin e tij të vyer për futbollin dhe ka punuar si trajner i portierëve në Kombëtare.

Ladi do na mungojë të gjithëve, do i mungojë familjes së tij dhe ne, miqve të tij panumërt që e donim dhe e vlerësonim për karakterin dhe personalitetin e tij të spikatur. Një burrë serioz e i besës, fjalëpak e korrekt dhe një mik i mirë.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ajazi për këtë humbje. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për Durrësin dhe për futbollin shqiptar. U prehtë në paqe!