Deputeti Armando Prenga është vetëtërhequr nga Kuvendi derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim për fajësinë ose jo ndaj tij.

Përmes një letre që mban datën 24 shkurt 2016 drejtuar kryetarit të Kuvendit, Prenga argumenton pse vendosi vetëpezullimin duke bërë me faj PD-në se e kanë kthyer në tabelë qitjeje.

Armando Prenga është në gjykim për tre akuza, armëmbajtje pa leje, plagosje e lehtë dhe kanosje për jetën.

Letra 

I nderuar kryetar i Kuvendit

Duke marrë shkas nga deklarimet e përfaqësuesve të PD-së dëshiroj t'ju bëj me dije vendimin tim për t’u vetëpezulluar nga aktiviteti i Parlamentit të Shqipërisë deri në marrjen e një vendimi gjyqësor për çështjen në të cilën unë jam i përfshirë.

Edhe pse plotësisht i bindur në pafajësinë time dëshiroj të mbetem larg jetës parlamentare përsa kohë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, që duhej të ishin përpara drejtësisë,më kanë kthyer në tabelë qitjeje se nuk dinë të bëjnë punë tjetër.

Unë nuk dua t'i jap kosto të tjera shpirtërore familjes time dhe të afërmve të mi. Ata nuk ma kanë borxh baltën e Saliut dhe të Lulit, edhe pse janë të bindur në pafajësinë time.

Prandaj do të vazhdoj deri në fund betejën gjyqësore, ndërkohë që PD le të mbajë të dënuarin Xhelal Mziu si hero të partisë në luftën për demokraci.

Sinqerisht Armando Prenga