e armëve antitank amerikane për Kosovën e zemëron qeverinë serbe, shkruan një gazetë gjermane. Lajmi për këtë është “një zhgënjim i madh”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas një takimi me ambasadorin amerikan Christopher Hill në Beograd. Të enjten (11 janar), Hill e njoftoi zyrtarisht Vuçiqin se kërkesa nga Kosova e miratuar nga Shtëpia e Bardhë i është përcjellë Kongresit.
Sipas informacioneve nga Prishtina dhe Uashingtoni, Kosova dëshiron, ndër të tjera, të blejë rreth 250 armë antitank Javelin për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Siç raporton gazeta gjermane, ajo paketë përfshin gjithashtu “dërgimin e instruktorëve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e atyre armëve që kanë rezultuar efektive kundër tankeve ruse dhe automjeteve të tjera të blinduara në Ukrainë”. Nga Prishtina thonë se marrëveshja për armët tashmë është arritur dhe se zbatimi është vetëm formalitet. Ata nuk presin rezistencë nga Kongresi”.
Sipas deklaratës së SHBA-së, shitja “është në interes të Shteteve të Bashkuara, pasi do të forconte aftësinë mbrojtëse të vendit partner evropian. Shitja do t’i mundësojë Kosovës të ruajë integritetin e saj territorial”.
Pasiguri për politikën e ardhshme amerikane
Gazeta e Frankfurtit shkruan se shumica dërrmuese e popullatës në Kosovë ka vite që është pro anëtarësimit në NATO. Në të njëjtën kohë, përkujtohet se shtetësia e Kosovës nuk njihet nga të gjithë anëtarët e Aleancës, përfshirë Spanjën dhe Rumaninë. Serbia, e cila nuk e njeh shkëputjen e Kosovës dhe që zyrtarisht vazhdon ta shohë atë vend si provincën e saj të përkohshme të shkëputur, shpreson të jetë në gjendje të vendosë përgjithmonë nën kontrollin e saj të paktën veriun e Kosovës të banuar nga serbët”.
Në të njëjtën kohë, siç shkruan Frankfurter Algemaine, “në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, ka pasiguri për politikën e ardhshme amerikane në rajon, dhe jo vetëm për shkak të fitores së mundshme të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA”. Kjo është edhe për shkak se Serbia ka përmirësuar masivisht forcat e saj të armatosura që kur Vuçiq mori pushtetin në Beograd. Armatosja u shoqërua me retorikë masive revanshiste në mediat pro-qeveritare”.
Kosova dyfishoi buxhetin e mbrojtjes
Si përgjigje, “fqinjët tani po forcojnë gjithashtu aftësitë e tyre ushtarake. Kosova, një nga vendet ekonomikisht më të dobëta në Evropë, planifikon të shpenzojë më shumë se 200 milionë euro për mbrojtje këtë vit. (…) Së fundmi, ai vend bleu, ndër të tjera, drone Bajraktar nga Turqia. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mburret se ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes në dy vitet e para të mandatit të tij”.
Nga ana tjetër, teksti përfundon, “Vuçiq së fundi theksoi se ushtria serbe është një nga më të fortat në Ballkan. Ai vuri në dukje numrin e madh të tankeve që vendi i tij ka marrë nga Rusia para sulmit rus ndaj Ukrainës dhe ka paralajmëruar se Beogradi do të vazhdojë të blejë armë, veçanërisht nga Kina, dhe veçanërisht aeroplanë luftarakë, dronë dhe sisteme kundërajrore. Në Serbi po planifikohet edhe rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak , i cili u hoq në vitin 2011 ”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, sipas një përmbledhje të Deutsche Welle.