TIRANE – Qeveria dërgon në Parlament ligjin e ri për armët, i cili parashikon kushtet se kur funksionarë të lartë dhe qytetarë të thjeshtë mund të mbajnë armë. Ligji i vjetër i vitit 1992 u ndryshua disa herë deri në vitin 2009, ndërkohë që me miratimin e draftit të ri ai do të shfuqizohet.
Në nenin 18 parashikohen funksionarët që mbajnë armë, ku përveç deputetëve, ministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, janë shtuar zv.ministrat, prefektët, si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë kapital jo më pak se 50 milionë lekë.
“Në varësi të gjendjes së armatimit në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit, pajisja me armë zjarri e subjekteve për të cilat lëshohet autorizim sipas nenit 18 të këtij ligji, mund të bëhet nga vetë institucionet apo subjektet përkatëse, duke e prokuruar armatimin nga subjektet e licencuara/autorizuara sipas dispozitave në fuqi për tregtimin e armëve të zjarrit, dhe, kur është e mundur, mund të bëhet nga organi kompetent i Policisë së Shtetit”, thuhet në pikën 1 të nenit 19.





