TIRANE– Pr/ligjit "Për armët", që synon të rregullojë kushtet për blerjen, mbajtjen, prodhimin, tregtimin, shitjen, transportimin e importimin e armëve dhe municioneve brenda territorit shqiptar, si dhe eksportimin e tyre jashtë vendit ka ngjallur debat mes palëve në Komisonin e Ligjeve.
Për të mbrojtur draftin në komision ishte i pranishëm zv/ministri i Brendshëm, Arben Ristani. Në prezantimin e tij u theksua se drafti me 37 nene, ka qëllim përafrimin me direktivën e BE-së,"Për kontrollin e blerjeve dhe posedimit të armëve". Sipas Ristanit, ligji i ri përfshin një fushë të gjerë veprimi, ndërsa dispozitat e tij nuk zbatohen për armët e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Një kapitull i veçantë i ligjit lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit, ku përfshihen deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë, etj,
Partia Socialiste u pozicionua kundër projektligjit të qeverisë për armët e zjarrit, i cili parashikon armatosjen e ministrave, zëvendësministrave, deputetëve, gjyqtarëve, prefektëve, kryeprokurorit, biznesmenëve etj.
Ristani kërkoi që gama e armëve të jetë më e kufizuar se në vendet e BE. Deputeti Edi Paloka theksoi se pretendimet e PS janë të pabaza në një kohë që zyrtarët dhe policët po vriten. "Kemi pasur kolegë që kanë kërkuar mbrojtje me armë", tha Paloka.
Ky pretendim u kundërshtua fort nga ligjvënësi socialist Fatmir Xhafaj, i cili vlerësoi si të panevojshëm armatosjen e deputetëve dhe ministrave. Si replikë zv.ministri Ristani tha se “kjo praktikë e mirë ka qenë edhe në qeverisjen socialiste”.