Me të dashurat modele, shtëpitë 600,000 paundë, Rolexet e veshura me diamante, reperët shqiptarë sigurisht duket se jetojnë shumë mirë në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse, siç thotë Daily Mail, nuk kanë arritur kurrë në krye të top listave.
Këngëtarë si MGee dhe Lucii janë në mesin e dhjetëra artistëve që grumbullojnë mijëra abonentë të Spotify dhe YouTube falë këngëve të tyre, të cilat shpesh promovojnë krimin, armët e drogën, ndërkohë që godasin institucionet e Britanisë, vazhdon shkrimi.
E gjithë kjo, thotë Daily Mail në artikullin fshikullues, në kohën kur bashkëkombësit e tyre vazhdojnë të dominojnë tregun ndërkombëtar të kokainës, duke i mbushur rrugët e Britanisë me drogë të klasit A dhe duke përdorur dhunë ekstreme ndaj kujtdo që i pengon, përfshirë ekzekutimet.
Në postimet e tyre në mediat sociale dhe në videot muzikore, disa yje të repit duket se mbështesin stilin e jetës kriminale teksa tallen me policët britanike që i quajnë ‘derra’, mburren se zotërojnë automatikë Skorpion dhe ndajnë këshilla se si të thyhen xhamat e makinave.
Teksa disa reperë këmbëngulin se nuk kanë lidhje me botën e krimit, për disa të tjera, vijat janë më të paqarta, vazhdon shkrimi që kujton sesi Banda Hellbanianz, së cilës shumë i frikësohen në rrugët e Londrës, ka mjaft reperë në radhët e saj dhe shumë anëtarë në burg.
Dy pjesëtarë të saj, Fabion ‘Gucci’ Kuci dhe Azem ‘Ziro’ Dajci filmuan dhe veten brenda qelive të burgut në Wormwood Scrubs, teksa prisnin dënimin për vjedhje e postuan foto dhe pamje në Instagram dhe YouTube.