Nga Gladiola Busulla
Durrës, 13 nëntor 2013- I tërë opinioni publik, mass media, shoqëria civile, qytetarët e thjeshtë, intelektualët, nxënësit në shkolla, më në fund e gjithë Shqipëria gjeti “gjuhën e përbashkët”. Por duhej të vinte kjo orë e mbrapshtë, ky lajm nga Rusia (edhe pse jo i zyrtarizuar) ekstremisht kërcënues, deri në vdekje të sigurtë, që populli shqiptar (jo klasa politike) të solidarizohet për mbrojtjen e jetës, që aq pak e kanë respektuar dekada me radhë.
Çjanë armët kimike? Po Konventa ç’thotë mbi këtë temë?
Ja versioni zyrtar: "Përkufizimi i armëve kimike aplikohet për çdo produkt kimik ose toksik, apo agjentë të përngjashëm me ta që mund të shkaktojnë vdekje, plagosje, dobësi të përkohshme ose acarim ndijor përmes veprimit kimik". Armët kimike janë klasifikuar sipas mënyrave, në të cilat ato godasin qenien njerëzore: Agjentë mbytës si klori krijojnë vështirësi në frymëmarrje. Irritues të tillë si gazi mustardë shkaktojnë acarim të lëkurës dhe syve. Arseniku, ose agjentë të bazuar në acid hidrocianik, shpesh japin efekt të menjëhershëm dhe janë vdekjeprurës. Gaze të tilla si Sarina ose gazi VX shkatërrojnë sistemin nervor.Por jo gjithçka është e qartë dhe e zezë mbi të bardhë: ekzistojnë dhe zona gri. Në Konventën e Armëve Kimike të vitit 1993, agjentët e përdorura gjatë trazirave si gazi lotsjellës konsiderohen armë kimike dhe duhet të gjejnë përdorim vetëm në luftë, e jo të përdoren nga forcat e rendit për të zbatuar ligjin.
Ekzistojnë shumë të teknika të përdorura me fosforin e bardhë dhe armët ndezëse që janë përdorur në vitet e fundit, si nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Tabuja mbi armët kimike është shumë e hershme. "Ideja themelore është se ata veprojnë pa dallim dhe janë një kërcënim për popullsinë civile", thotë historiani Richard Price. Kjo çështje u bë alarmante menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Armët kimike u përdorën në shkallë të gjerë në këtë konflikt. Frika u bë më e madhe, kur teknologjia ajrore u përmirësua ndjeshëm. Ekzistonte mundësia reale e sulmeve kimike masive mbi qytete. Pesë shtete ende kanë rezerva të deklaruara zyrtarisht: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Libia, Iraku dhe Japonia (armët e fundit u lançuan në Kinë, pas Luftës së Dytë Botërore). Të gjitha këto kombe po impenjohen të shkatërrojnë rezervat e mbetura në inventar, por përparimi në këtë drejtim ka qenë i ngadaltë, pasi në korrik 2013 kishte qenë më shumë se 13 ton kimikate. Kjo nuk është gjithçka. Zbulimi amerikan beson se Siria, Irani dhe Koreja e Veriut kanë një arsenal të fshehtë kimik.
Siria, në veçanti, ruan një "furnizimi kimikatesh të ndryshme, përfshirë gazin mustardë, sarin dhe gazi VX". Ka vende të tjera që mund të kenë armë kimike apo pajisje për prodhimin e tyre, por informacioni publik është i errët. Lista e të dyshuarve përfshin Birmaninë, Egjiptin, Pakistanin, Serbinë, Sudanin, Tajvanin dhe Vietnamin. Gazi nervor. Njerëzit mendojnë se e dinë ç’është me të vërtetë, një gaz nervor. Por ata kanë parë veç filma dhe asgjë më tepër. Gazet nervore janë pothuajse të gjitha neurotoksike ose neurobllokuese. Pra helmojnë sistemin nervor ose e bllokojnë atë. Kjo mund të duket e çuditshme, por kjo është mënyra më e shpejtë për të vrarë një person: në fakt impulset nervore që e bëjnë zemrën të rrahë bllokohen ose çmenden” dhe vetëm brenda pak sekondave, humbet vetëdijen dhe vdes. Dhe përsëri s’mbaron me kaq. Në momentin e vdekjes, gazrat nervore provokojnë spazma që bllokojnë muskujt e fytyrës (e cila duket sikur po bën grimasa), provokojnë konvulsione dhe qëndrime totalisht të panatyrshme të trupit. Ndër të tjera, mungesa e kontrollit të nervave dedukton një lëshim të të gjithë muskujve të trupit, përfshirë dhe ato të uretrës e anusit.
A jemi ne të përgatitur të bashkëveprojmë me armët kimike (magazinim,transport, shkatërrim ose opsione të tjera). Në këtë vend “shqiponjash”, ku ndotja e ambjentit, e ujit, mungesa e gjelbërimit është e tejskajshme, ku parametrat dhe standardet optimale të higjenës janë kaq larg realitetit, armët kimike do të ishin qershia e munguar mbi tortë.A do të ketë politika shqiptare guximin dhe kurajon t’i thotë “Jo Amerikës” ?! A do të dalë vallë, interesi i atdheut dhe fati i bashkëkombasve mbi servilizmin, interesin personal dhe detyrimet ndaj NATOS-s?! Në se “vendi i shqiponjave” bëhet “vendi i armëve kimike”, atëherë Gërdeci do të mbetet një eufemizëm.
Unë dua që familja ime, vajza ime, nipërit e mi, të gjithë shqiptarët e mi të dashur të mos ecim drejt së nesërmes me një minë me sahat në kurriz apo në rastin më të mirë, me një biletë kanceri në duar. Pse kur bëhet fjala për sakrifica, gjymtime teritoriale jemi shënjestra e duhur, favoritja e “Fuqive të Mëdha”?! Tani po presim”gazrat” famëkeqe, sepse ata që i kanë prodhuar nuk i “çlirojnë”, ‘asgjësojnë”, “ekzekutojnë” dot vetë. Kanë nevojë për ndihmën dhe eksperiencën tonë. Goxha konsideratë !Gjithmonë në udhëkryq, në pritje që të tjerët të vendosin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duhet të ndërmarrim një kalvar të tillë që opinioni botëror të kthejë paragjykimet ndaj nesh në dashamirësi?!” Por “qëllimi final” është fisnik. Do të jetë një sakrificë sublime për shpëtimin e jetës duke u vetëshkatërruar”. A ngrihet paqja mbi vdekjen e mijëra të pafajshmëve?! Ç’pyetje naive! A nuk po pasurohet e është pasuruar rëndom për shekuj me radhë “I pushtetshmi” mbi gjakun dhe djersën e të pafajshmëve?! Unë dhe shumë qytetarë të tjerë u themi me zë të lartë JO FALEMINDERIT, çdo arme, mbetjeje apo faktori kimik. Por për fat të keq, kjo është krejtësisht irrilevante. Na mbetet veçse të shpresojmë që në tavolinën e fatit të mos luajmë me jetën përmes agjentëve kimikë të shpërndarë kudo: në ajër, tokë e ujë. S’më mbetet tjetër, veçse të uroj me shprehjen abuzive të politikanëve, por që ndryshe nga ata, mua dhe çdo shqiptari të thjeshtë e të pafuqishëm, na buron nga zemra:
Zoti e bekoftë Shqipërinë !
/ Agjencia e lajmeve Dyrrah /





