Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, foli sot rreth ndryshimeve në kodin penal sa i takon armëmbajtjes pa leje, gjatë një diskutimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Manjani deklaroi se nga ndryshimi i ligjit për dënimin do të përfitojnë vetëm ata që janë në proces gjykimi dhe jo ata që tashmë e kanë një vendim të formës së prerë. Ai theksoi se ligji për armët ishte absurd, pasi armëmbajtja dënohej si terrorizmi, ndërsa shton se ka vakuum në Kodin Penal.
Ndërsa deputeti i LSI-së, Luan Rama, deklaroi se gjatë mandatit të qeverisë Rama-Meta është ndërhyrë 17 herë në Kodin penal, çka tregon mungesë vizioni.
“Është e 17-ta ndërhyrje në kodin Penal gjatë 3 viteve të koalicionit tonë. Kjo tregon mungesë vizioni. Jemi gjetur dhe para precedentëve antikushtetues në ndryshime në Kodin Penal. Shpesh i kanë sjellë ministri të tjera, pa kaluar sipas Kushtetutës në Ministrinë e Drejtësisë”, tha Rama.





