Kampioni i botës në 2006-ën dhe ish-sulmues i Juventus-it Vincenzo Iaquinta, ka folur për herë të parë përpara trupit gjykues si i akuzuar në proçesin “Aemilia”. Ish-lojtari i kombëtares italiane akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa i ati, një kontraktues ndërtimesh, dyshohet për lidhje me grupimin mafioz “Ndrangheta”. “Jam një njeri i famshëm, e merrja pistoletën më shumë pasi e kisha lënë futbollin. Më pëlqente të shkoja në poligonin e Reggio-s. Kurrë nuk kam qëlluar me armë” – ndaj Iaquinta-s rëndon akuza se nuk ka deklaruar zhvendosjen e dy pistoletave në shtëpinë e babait të tij, të cilat janë gjetur nga policia në janar të vitit 2015 dhe që janë raportuar nga vetë ish-sulmuesi.
“E kam bërë sepse jam i ndershëm. Por marr përsipër të gjitha përgjegjësitë që nuk kam lajmëruar këtë veprim”. Gjatë marrjes në pyetje të babait ish-futbollisti i Juve-s dhe Udinese-s ka thënë: “Nuk duan të kuptojnë”, ka bërtitur, ndërsa ka dalë nga salla duke përplasur derën për t’u rikthyer në gjyq pas pesë minutash. Në pjesën e dytë të gjyqit, Iaquinta është pyetur edhe për foton e bërë nga konsulentja fiskale, bolonjezja Roberta Tattini, e dënuar me 8 vjet dhe 8 muaj burg në shkallën e parë. Në foto shfaqen të dy në një bar të Reggiolo-s. “Për mua është një fotomontazh, një foto falso. Pantoflat që kam veshur i kam blerë vite më pas. Unë nuk e kam njohur kurrë Tattini-n. Fitoja shumë, çfarë nevoje kisha të merresha me Ndragheta-n?