Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë bisedimet për armëpushim në Gaza dhe po tërheqin ekipin e tyre negociator nga Katari për konsultime.

I dërguari i Posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff tha se përgjigja e fundit nga Hamasi “tregon mungesë dëshire për të arritur një armëpushim në Gaza”, sipas La Repubblica.

‘Ne kemi vendosur të tërheqim ekipin tonë nga Doha për konsultime pas përgjigjes së fundit të Hamasit, e cila tregon qartë mungesën e vullnetit për të arritur një armëpushim në Gaza.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ndërmjetësve, Hamasi nuk duket se po koordinohet ose po vepron me mirëbesim.

Tani do të vlerësojmë opsionet alternative për të sjellë pengjet në shtëpi dhe do të përpiqemi të krijojmë një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës. Është një turp që Hamasi ka vepruar kaq egoist. Ne jemi të vendosur t’i japim fund këtij konflikti dhe të arrijmë paqe të përhershme në Gaza’, tha ai.