Moska zyrtare e quajti “një tjetër përshkallëzim të tensionit” deklaratën e fundit të sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO është duke diskutuar për të vënë në gatishmëri armët bërthamore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se komentet e Stoltenberg bien në kundërshtim me deklaratën e konferencës së paqes për Ukrainën, e cila thoshte se çdo kërcënim ose përdorim i armëve bërthamore në kontekstin e Ukrainës ishte i papranueshëm.
“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një tjetër përshkallëzim i tensionit”, ka thënë Peskov për komentet e Stoltenbergut të bëra gjatë një interviste për të përditshmen “The Telegraph”.
Rusia thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë po e shtyjnë botën në prag të konfrontimit bërthamor duke i dhënë Ukrainës armë me vlerë miliarda dollarë, disa prej të cilave po përdoren për ta sulmuar territorin rus.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë deri tani fuqitë më të mëdha bërthamore, duke mbajtur rreth 88% të armëve bërthamore në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 100 armë bërthamore jostrategjike B61 të vendosura në pesë vende evropiane – Itali, Gjermani, Turqi, Belgjikë dhe Holandë, sipas Buletinit të Shkencëtarëve Atomik.
SHBA-ja ka edhe 100 armë të tjera brenda kufijve të saj.
Rusia ka rreth 1,558 koka bërthamore jostrategjike, megjithëse ekspertët e kontrollit të armëve thonë se është shumë e vështirë të thuhet se sa ka për shkak të fshehtësisë.