Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Saimir Çullhajn, të dyshuarit si të përfshirë në trafikun e armëve nga Rinasi.
Arrestimi i tij nga policia u bë pasi gjurmë të gishtërinjve të tij u zbuluan në pakot postare në Rinas, brenda të cilave kishte pjesë të armës automatike kallashnikov.
Finalizimi i operacionit antitrafik të koduar “Delivery” ka çuar në pranga 32-vjeçarin nga Shijaku, i cili akuzohet se ka dërguar tre pakot me armë zjarri për në Londër.
Ndërkohë është shpallur në kërkim personi tjetër bashkëpunëtor në këtë tentativë për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake në Rinas, N.F., 47 vjeç, banues në Durrës.
“Në kuadër të proçedimit penal të nisur për këtë ngjarje është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në datë 23.08.2017 rreth orës 18:00 kanë bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjencive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza”. Brenda pakove janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara. Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar”, sqaroi policia ditën e arrestimit.





