Përsëri ‘gjeneral’ Imami kapet ‘rob’ me thyerje embargoje të OKB-së ndaj Libisë

Nga Gjergj Thanasi

Skandalet me armët shqiptare në të katër anët e botës nuk përbëjnë më lajm madje as në epokën e post-Gërdecit. Skandali i radhës është i veçantë, sepse në këtë rast nuk kemi denoncim nga deputetë të bezdisshëm opozitarë si Braçe me vandakët me dokumente sekrete të dikasterit Imami. Nuk kemi denoncim nga letra higjienike e markës “New York Times”, as filmime predhash shqiptare në Kongo nga një farë agjencie lajmesh e quajtur “Reuters”. Madje-madje këtë radhë nuk janë as Wikileaks-at e zakonshëm, që u nxjerrin bojën patriotëve shqiptarë, që nga dashuria për Atdheun bashkëpunojnë me serbë kontrabandistë famëkeq armësh.

Vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nëpërmjet një paneli ekspertësh, ndër më të mirët të fushave përkatëse, ka provuar, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, me dokumente, foto, letër-përgjigje zyrtare dhe intervista se Shqipëria ka thyer embargon kundër Libisë së kolonel Gedafit, në shtator 2011, kur regjimi diktatorial ishte në grahmat e fundit.

Nëpërmjet firmave fantazmë, dhe sekserëve batakçinj, ukrainas, armenë, arabë nga Emiratet e Bashkuara, me ndihmën e oficerëve të korruptuar moldavianë nën mbikëqyrjen e “vëllezërve” serbë si zakonisht, Shqipëria e përfaqësuar nga ndërmarrja shtetërore “Meico”, ka eksportuar me avion direkt nga Rinasi në Libi, 800 000 fishekë mitralozi kundërajror kalibër 12,7X108mm.

Paneli i ekspertëve të OKB-së përbëhej nga: Salim Raad nën/kolonel libanez koordinator i panelit, Eksperti hebre Simon Dilloway, eksperti rajonal e komunitar anglez Theodore Murphy, ekspertja italiane Giovanna Perry dhe ekspertja franceze e armëve të vogla e të lehta Savannah de Tesseieres.

Ky panel pas muajsh pune të lodhshme, duke shfrytëzuar burime informacioni të hapura e të klasifikuara, duke vizituar vendet problematike përfshirë Shqipërinë (17-19 dhjetor 2012), duke dërguar letra zyrtare autoriteteve armene, ukrainase, arabe, moldaviane e shqiptare ka provuar thyerjen e embargos.

Autoriteteve shqiptare si “Meico”, Ministria e Jashtme, Autoriteti i Aviacionit Civil apo edhe Ministria e Mbrojtjes u janë dërguar dy letra me kërkesë për shpjegime. Autoritete shqiptare kanë dhënë shpjegime të pjesshme vetëm për njërën nga letrat. Autoritetet shqiptare janë kontaktuar në 30 prill 2012 (tema thyerje embargoje), më 6 nëntor 2012 për të fiksuar vizitën dhe takimet me autoritetet shqiptare. Autori disponon korrespodencën e plotë. Për këtë mund të konsultohen faksimilet e dokumenteve.

Operacioni për thyerjen e embargos u organizua me pjesëmarrjen dhe dijeninë e autoriteteve të ndryshme shqiptare si edhe me ndihmesën e sekserëve të ndryshëm të huaj. Historia e kësaj thyerjeje embargoje vijon si më poshtë:

Në 10,11 dhe 12 shtator 2011 nga Rinasi në drejtim të Libisë fluturuan tre avionë tip IL 76-TD (kapaciteti rreth 45 tonë ngarkesë) të prodhimit ish-sovjetik.

Avionët me ngarkesën me fishekë kundërajrori të prodhimit kinez, sovjetik dhe të Poliçanit i përkisnin kompanisë private armene AYK AVIA.

Udhëtimet u kryen me nga një avion në ditë.

Kjo histori thyerjeje embargoje filloi në korrik 2011, kur firma gjysmë-shtetërore armene “DG Arms Corporation” (me lidhje të vjetra me mafien e armatimeve në trekëndëshin Serbi -Mal i Zi- Shqipëri) kontakton “Meico”-n me ndihmën e sekserëve serbo-sllavë për të blere armatime të tepërta stok të ushtrisë shqiptare.

“Meico”-ja kërkon ndërhyrjen e firmave të tjera shtetërore nga hapësirat ish-sovjetike.

Në këtë moment shfaqet firma ukrainase UKRINMASH, filial i firmës shtetërore ukrainase të armatimeve UKRSPECEXPORT.

Kjo firmë, me dokumente, rezulton si importuese e këtij municioni kundërajror,por me ndërmjetësinë e firmës armene DG ARMS CORPORATION.

Firma ukrainase i bleu municionet me qëllim shitjeje në favor të firmës private “International Golden Group”, që ka kontakte solide me autoritetet e sigurisë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Nisja u bë nga Rinasi dhe avioni i parë me numër regjistrimi EK.76599 fluturoi drejt e në Libi duke bërë një ndalim në aeroportin e Zarzis-it në Tunizi. Dy avionët e tjerë bënë të njëjtin udhëtim në ditët në vijim.

Më pas këta avionë shkuan në Moldavi (aeroporti i Kishinjaut), ku morën një ngarkesë me armë, këtë radhë për në Erevan, në Armeni.

Kjo histori doli në medien moldave, dhe kryeministri moldav pushoi nga puna shefin e shtabit të ushtrisë moldave (shtator 2011).

Autoritetet shqiptare në fillim e justifikuan këtë shkelje embargoje me ndërrimin e kursit të fluturimit të avionëve jashtë hapësirës ajrore shqiptare.

Fatmirësisht, ekspertët e OKB-së zbuluan planet e fluturimit të avionëve të depozituara pranë autoriteteve shqiptare në Mother Tereza Airport Tirana, ku shkruhej qartë, që destinacioni final i këtyre avionëve armenë nuk ishin Emiratet e Bashkuara Arabe, por Libia.

Pas këtyre fakteve të pakundërshtueshme, autoritetet shqiptare u justifikuan me të ashtuquajturin gabim njerëzor, si edhe me mungesën e vigjilencës së personave të veçantë për të vepruar në kohë, me qëllim që të pengohej kjo thyerje flagrante e embargos së Kombeve të Bashkuara ndaj Libisë.

Zyrtarisht, autoritetet shqiptare u bënë të ditur përfaqësuesve të OKB-së që kishin filluar një hetim të brendshëm për këtë shkelje embargoje.

Deri tani askush nuk është ndëshkuar për këtë rast të shkeljes së embargos,madje episodi është mbuluar nga terri informativ.

Kjo lloj “omertaje” mafioze është aq flagrante saqë edhe deputetët e opozitës të komisionit parlamentar të sigurisë nuk lejohen të kontrollojnë në “bunkerin” Imami. Një qëndrimi tillë të bën të mendosh se episodi i mësipërm është vetëm maja e ajsbergut të kontrabandës së armëve.

Episode të tilla si eksporti i predhave për bazuka kalibër 40 mm drejt Burkina Fasos apo importimi i minave kundër këmbësorisë nga SHIU në shkelje të Konventës së Otavës, ku ka aderuar vite më parë edhe Shqipëria, janë disa nga indiciet, që tregojnë pse ministri Imami nuk lejon kontrollin civil mbi forcat e armatosura shqiptare.

Priten edhe skandale të tjera ende nën hetim nga OKB-ja përsëri në kuadrin e  thyerjes së embargos ndaj Libisë.

Në këtë rastin e dytë embargoja është thyer me rrugë detare. Anija embargo-thyese është me flamur përsëri të Moldavisë, me pronar shtetas shqiptar, por greqishtfolës minoritar, me ekuipazh të përzierë shqiptar.

Kjo anije ka qenë e përfshirë në procese gjyqësore me doganat shqiptare për kontrabandë me hekur ukrainas, gjë që, për koincidencë, nuk i është nënshtruar të ashtuquajturës analizë risku, që aplikojnë doganat shqiptare.

Normalisht, sekserët kanë qenë serbë edhe në dy rejset e kësaj anijeje (korrik dhe shtator 2011) me destinacion portin e Tarabullus-it (Tripoli).

Moldavia shtet thjesht shtet anëtar i Nismës “Partneritet Për Paqe” menjëherë shkarkoi shefin e shtabit të ushtrisë për thyerje embargoje të OKB-së përsëri ndaj Libisë, ndërsa Shqipëria vend anëtar me të drejta të plota i NATO-s nuk ndëshkon askënd për thyerje flagrante të embargos së vendosur nga OKB-ja.

Në rastin e Shqipërisë me cinizëm mund të citojmë thënien e Kryeministrit Berisha, kur Shqipëria u pranua në NATO: THIS IS A MIRACLE.

Po është një mrekulli, korrupsioni, një mrekulli nëpërkëmbje të dinjitetit të shtetit shqiptar, një mrekulli ku peshku qelbet mrekullisht nga KOKA!