Një anketë ka nxjerrë që 66% e maqedonasve mendojnë se Shqipëria është një vend me qasje armiqësore ndaj Maqedonisë, e njëjta përqindje që konsideron Serbinë vend miqësor, raport agjencia INA. Anketa e realizuar nga Instituti “Dimitrije Çupovski” kishte për qëllim analizimin e perceptimeve të qytetarëve maqedonas ndaj vendeve fqinje.

Sipas anketës, 66 për qind e maqedonasve vlerësojnë se Shqipëria është një vend me qasje armiqësore ndaj Maqedonisë, ndërsa vetëm 64% e mendojnë këtë për Bullgarinë, vend me pretendime gjuhësore e deri dhe territoriale ndaj Maqedonisë. Ndërsa Serbia qëndron si vendi më miqësor dhe më i afërt për maqedonasit (66% konfirmuan këtë), 56% e popullsisë shqiptare atje mendojnë se Serbia ka qasje jomiqësore ndaj Maqedonisë.

Në pyetjen se cilët nga këto vende kanë qëllime të mira ndaj Maqedonisë: 60 për qind janë shprehur vetëm pro Serbisë, 0,5 për qind për Shqipërinë, 4,5 për qind për Bullgarinë, 0,5 për Kosovën, 0,6 për qind për Greqinë, etj.