Dy persona janë arratisur nga dhomat e shoqërimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ditën e sotme. Të dy personat e ndaluar ishin arrestuar pasi ishin të dyshuar për vjedhje. Arratisja ka ndodhur pasi ka përfunduar seanca e vlerësimit të masës së sigurisë nga ana e gjykatës në Elbasan. Njëri prej tyre është kapur menjëherë, kurse tjetri është akoma në kërkim.

Njoftimi:

Elbasan

Mesditën e sotme, shtetasit N. L., 29 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale “Vjedhja”, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.

Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L..

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.