Itali, 7 maj 2014– Një i burgosur shqiptar ka mundur të arratiset nga burgu Paglierelli në Palermo. Me shumë mundësi shqiptari i arratisur është Valentin Frrokaj, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Ai ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një tjetër shqiptari në vitin 2007 në qytetin e Breshias. Mësohet se vrasja ka ndodhur për shkak të një grindjeje mes të dyve. Ndërkohë Frrokaj kishte edhe precedentë të tjerë penalë si p.sh. për grabitje.
Sipas informacioneve të para, shqiptari ka arritur të largohet nga burgu duke përdorur një çarçaf (ne foton kryesore burgu Paglierelli dhe Valentin Frrokaj). Ai ka sharruar hekurat e qelisë së tij dhe pasi ka kaluar disa ambiente të brendshme të burgut ka mudnur të kalojë edhe rrethin e jashtëm duke dalë në rrugën “Regione siciliana”. Policia ka nisur menjëherë kërkimet për të bërë të mundur prangosjen e të arratisurit shqiptar. Në operacionet e kërkimit të të burgosurit është angazhuar një helikopter si dhe trupat e karabinierëve dhe Guardia di Finanza.
Sipas medieve italiane, të cilave u referohet Dyrrah-u, i dënuari shqiptar ia ka marrë dorën arratisjeve nga burgu. Të njëjtat burime saktësojnë se në shkurt të 2013 ishte arratisur nga burgu i Parmës, ku po vuante dënimin.
Policia italiane informon se Valentin Frrokaj, në momentin e arratisjes kishte të veshur një palë xhinse dhe një këmishë të bardhë me mëngë të shkurtra.
/agjencia e lajemve “Dyrrah”/





