ITALI– Historia e një adoleshenti shqiptar, që për t’i shpëtuar dhunës së të atit arratiset në Itali dhe kërkon ndihmën e karabinierëve, ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane. Sipas portalit italian www.affaritaliani.it, një 15 vjeçar shqiptar, i cili ka mbërritur në vendin fqinjë disa ditë më parë, u është drejtuar karabinierëve të provincës Castello për ndihmë, pasi i kishin mbaruar të hollat që kishte me vete dhe kishte humbur çantën ku mbante dokumentet identifikuese.
Portali bën të ditur se i riu shqiptar i kishte parë në filmat me aksion karabinierët italianë dhe për këtë shkak kërkoi ndihmën e tyre. Ai nuk komunikonte në italisht prandaj policia e vendit fqinjë ka thirrur një përkthyes, përmes të cilit ka mësuar se 15 vjeçari dhunohej në Shqipëri nga i ati.
Duke mos duruar më dhunën e prindit të tij, i riu, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka prerë një biletë avioni dhe ka udhëtuar drejt Italisë. Ai shpresonte se në vendin fqinjë do t’i ofrohej një jetë më e mirë. Pasi ka lëvizur për disa ditë në qytetet italiane përmes mjeteve të transportit publik, ai ka humbur çantën ku mbante dokumentet dhe gjërat personale.
I mbetur pa para, pa ngrënë dhe pa asnjë strehë ai ka parë si zgjedhjen më të mirë takimin me karabinierët. Këta të fundit, pasi kanë konstatuar se djali ishte në gjendje të mirë shëndetësore, e kanë dërguar pranë një “shtëpi familje” (casa famiglia) të zonës.
Linku ku mund të lexoni të plotë lajmin në italisht: http://affaritaliani.libero.it/umbria/fugge-dall-albania-15enne-chiede-aiuto-ai-carabinieri310113.html?refresh_ce





