7nëntor 2015 – Një 16 vjeçare me inicialet A.B. është larguar nga shtëpia mesditën e së premtes e nuk është kthyer më deri dhe pas 24 orësh. Nëna e saj i është drejtuar policisë së Durrësit, e cila ka nisur kërkimet për gjimnazisten, banuese në lagjen 17. “Na ka shqetësuar, ju lutem gjejeni, nuk e dimë ku ndodhet. Na ka vënë në alarm të gjithëve sepse nuk e hap telefonin. Nuk kemi patur konflikte dhe nuk jemi zënë”, ka thënë në polici Vera B., nëna e adoleshentes.
Burime nga komisariati i policisë së Durrësit bënë me dije se 16 vjeçarja është larguar disa herë nga shtëpia. Madje vajza ishte gjetur vetëm 24 orë para zhdukjes sërish të të premtes. Nga hetimet rezulton se vajza është konfliktuar shpesh me të ëmën, pasi kjo e fundit e ka ndaluar që të largohet nga banesa për të frekuentuar klubet e natës. “Mendojmë që do ta gjejmë shpejt, sikundër ndodhi edhe 48 orë pas largimit të fundit”, pohuan burime policore.
Rreth 2 javë më parë dy kushërira 15 e 16 vjecare u larguan nga banesat e tyre, në zonën e Plazhit, duke u gjetur në Lushnjë, pasi ishin mashtruar në Facebook.
/portali DurresLajm/