Marko Roshiç, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, është arratisur. Lajmi për Radion Evropa e Lirë u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se më 28 qershor, Policia pranoi aktvendimin për paraburgimin e Roshiçit dhe që atëherë është në kërkim të tij.
Po atë ditë, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Ivanoviçit. Roshiç, Nedelko Spasojeviç, Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u dënuan në total me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviç u lirua nga akuzat.
Asnjë nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në gjykatore kur u shpall aktgjykimi.
Roshiç, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.
Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka akuzuar Marko Roshiçin për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, që do të thotë se autoritetet e akuzuan atë që kishte ndjekur çdo lëvizje të Ivanoviçit dhe automjetit të tij.
Siç u tha në fillim të gjykimit, në xhepin e Oliver Ivanoviçit u gjet një letër ku ishte shkruar numri i targave të një automjeti në pronësi të Marko Roshiçit.
Roshiç është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, së bashku me vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç dhe Millan Radoiçiç. Ai akuzohet se ishte pjesë e rrjeteve korruptive të lidhura me krimin e organizuar transnacional.