Ministria e Brendshme ka dhënë informacion zyrtar për urdhër ndalimet e lëshuara nga prokuroria për 3 ish-zyrtarët e policisë së Vlorës. Në njoftim për mediat thuhet se kjo Ministri ka marrë dy urdhër ndalime, për Jaeld Çelën dhe Gjergj Kohila, ndërsa për Sokol Boden, vendimin për arrest me burg.

“Më datë 22 nëntor 2017, rreth orës 10:30 minuta, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka marrë nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg””, sqaron Ministria në njoftimin e saj. 

Gjithashtu, janë marrë për ekzekutim edhe tre vendime të Gjykatës për Krimet e Rënda për ushtrim kontroll banese, mbi bazën e një procedimi të nisur në vitin 2016 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë.

Urdhër-ndalimet janë nxjerrë për:

– Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, 283/a dhe 333/a.

– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.

– Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “Arrest në Burg” është nxjerrë për shtetasin Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
Urdhër-ndalimet dhe Vendimet e Gjykatës mbajnë datën 21 nëntor 2017.

Sapo është vënë në dijeni për vendimet, SHÇBA-ja ka organizuar punën dhe ndarë detyrat për zbatimin e tyre konform Kodit të Procedurës Penale.

Të gjitha veprimet procedurale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga Prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave procedurale sipas radhës së veprimeve në interes të hetimit.

Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre.

Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim që prej datës 22.11.2017 shtetasit Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre.

Në datë 23 nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA-së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet procedurale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për këta ish-oficerë.