Edmond Llabani emërohet drejtor i komanduar i IEVP Durrës
Edmond Llabani është emëruar drejtor i ri i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, pas shkarkimit të drejtuesit të mëparshëm, Indrit Cërloj. Shkarkimi i Cërlojt u firmos të mërkurën nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u largua gjatë një shoqërimi për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Pas ngjarjes së rëndë, ministri Lamallari i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve hartimin e një plani të ri për vlerësimin e sigurisë dhe rishpërndarjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në IEVP Durrës, mbi bazën e rrezikshmërisë, duke mos përjashtuar edhe transferimin e tyre në institucione të sigurisë së lartë.
Gjithashtu, ministri ka urdhëruar angazhim maksimal të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Që të mërkurën është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës. Verifikimet paraprake kanë zbuluar se institucioni nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Po ashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde të shoqërimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve.





